Duro: Dërguam në qeveri “zgjidhjen” për invalidët
by admin on 05/03/09 at 3:16 pm
Tetra dhe paraplegjikët kanë shënuar sot ditën e katërt të grevës së urisë
Për kërkesat e tetra dhe paraplegjikëve duket se ka lindur një fije shprese. Në ditën e tyre të tretë të grevës së urisë, këta invalidë me probleme të theksuara shëndetësore kanë marrë një premtim nga ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro. Në një reagim lidhur me këtë çështje, e pikërisht kur greva e personave me aftësi të kufizuar, paraplegjikë dhe tetraplegjikë shënoi ditën e tretë të saj, ministri Duro konfirmon se zgjidhja është afër.
Sipas drejtuesit të Ministrisë së Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, është dorëzuar një projektvendim në qeveri, që parashikon zgjidhjen e kërkesave ekonomike të këtyre personave. Ministri Duro ka premtuar se ndoshta brenda javës që vjen do të ketë edhe një zgjidhje konkrete.
“Para disa ditësh ne na erdhi edhe akti i ekspertimit të ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në bazë të saj ne kemi paraqitur në qeveri një vendim. Kjo ishte para fillimit të grevës. Sigurisht që ka një dritë jeshile për këta persona dhe është në shqyrtim. Ne shpresojmë se do të realizohet. Sa do të jetë masa? Kjo është sipas nevojave dhe sigurisht dihet që për çdo person, aq më tepër për ata, që sa më shumë të kenë aq më mirë është, po prapë do të kenë një masë sipas mundësive që ka Ministria e Financave dhe buxheti. Unë shpresoj që brenda kësaj jave do të kemi një përgjigje sipas kërkesave të tyre”, u shpreh ministri Anastas Duro.
Që prej ditës së hënë të kësaj jave, mbi 20 persona me aftësi të kufizuara nisën një grevë urie. Kjo formë proteste ka ardhur pas një sërë protestash që ata kanë zhvilluar, për të realizuar një minimum jetik normal. Kërkesat kryesore të tetraplegjikëve dhe paraplegjikëve kanë të bëjnë me rritjen e fondit për paketën higjienike, për përfitimin e 80 litrave karburant, si dhe shtimin e pagesave të kujdestarëve që i shoqërojnë ata.
Leave a Comment