Disiplina, dy ndëshkime për të njëjtën shkelje

by on 17/03/09 at 5:20 pm

Skandali: Dinamo eliminohet nga Kupa, Partizani e Flamurtari, ndeshje shtesë

Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon të shtyjë Kupën e Shqipërisë drejt kaosit. Me një vendim skandaloz, organet e institucionit që drejton futbollin në vend, jo vetëm që nuk kanë zgjidhur shkeljet në këtë aktivitet, por kanë përdorur dy masa të ndryshme ndëshkimore për thyerjen e rregullave. Pasi nuk evidentoi që në fillim (në ndeshjet e para) parregullsitë e skuadrave çerekfinaliste, të cilat aktivizuan lojtarë që më parë kishin luajtur me ekipe të tjera, nga “qeveria” e futbollit ka ardhur çudia e radhës. Pas një mbledhjeje maratonë, që ka zgjatur pesë orë, Komisioni i Disiplinës i ka vënë vulën “çorbës”. Praktikisht ata kanë eliminuar Dinamon nga aktiviteti i dytë për nga rëndësia në vend, ndërkohë që Flamurtarit dhe Partizanit i është dhënë mundësia të luajnë edhe një ndeshje shtesë, për të shpallur fituesen e çiftit. Një vendim i padëgjuar më parë dhe që logjikisht është i papranueshëm, pasi të treja skuadrat akuzohen se kanë shkelur të njëjtën pikë të rregullores. Duket se këtu ka ndikuar “tmerri” i zyrtarëve të FSHF-së, se në gjysmëfinale do të mbeteshin vetëm tri nga katër skuadra që nevojiten për të luajtur këtë tur. Për këtë arsye, ata kanë preferuar të “sakrifikojnë” haptazi Dinamon, ndërsa nga çifti Partizani-Flamurtari do të përcaktohet ekipi i katërt që kualifikohet.

Dinamo

Blutë janë padyshim skuadra e vetme e dëmtuar nga vendimi i Disiplinorit. Edhe pse fituan në fushën e lojës me Vllazninë, dinamovitët e drejtuar nga Shkëlqim Muça u penalizuan për aktivizimin e Elis Bakajt, që gjatë këtij sezoni ka luajtur edhe me Partizanin në Kupë. KD pranoi ankesën e shkodranëve dhe u dha këtyre të fundit fitoren 2-0 në tavolinë. Sipas këtij rezultati, kuqeblutë e drejtuar nga Dervish Haxhiosmanoviç kualifikohen falë rezultatit të përgjithshëm 3-2 (takimi i parë, i luajtur në “Loro Boriçi” u fitua 2-1 nga kryeqytetasit). “Komisioni vlerëson se aktivizimi nga Dinamo i lojtarit Elis Bakaj përbën shkelje të nenit 36, pika 25, të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, pasi ky lojtar, duke qenë se në Kupën e Shqipërisë

është aktivizuar më parë me ekipin e Partizanit, nuk mund të aktivizohej me Dinamon në këtë aktivitet, citohej në vendimin e Disiplinës. Në parashikimet e nenit 23/2 të Kodit të Drejtësisë

Sportive të FSHF, nenit 55 të Kodit të Disiplinës së FIFA-s dhe nenit 14 të Kodit të Disiplinës së UEFA-s, Dinamo humbet ndeshjen me rezultatin 2-0, në favor të Vllaznisë”.

Shkelja

Deri këtu gjithçka ka qenë e bazuar në rregulla. Dinamo është penalizuar për një pakujdesi që ishte e shkruar e zezë mbi të bardhë. Por, çudia vjen në pjesën e dytë të vendimit, ku organi që ndëshkon shkelësit, nga ana e tij ka shkelur të gjitha rregullat e lojës dhe ata logjikë me interpretimin e neneve. Për “Partizanin dhe Flamurtarin, që të dyja skuadra që kanë kryer shkelje (të njëjtë si Dinamo), me pasojë parregullsinë e të dyja ndeshjeve të zhvilluara mes tyre”, duke përdorur të njëjtat nene, pra 23/2 të KDS-së e nenit 14 të Kodit të Disiplinës së UEFA-s, por ku është shtuar neni 43 i Statutit të FSHF-së, përfundimi është i ndryshëm. Disiplinori urdhëroi “që Flamurtari dhe Partizani të luajnë një ndeshje të vetme në fushë asnjanëse, të vlefshme për Kupën e Shqipërisë”.

Sipas UEFA-s

Flamurtari brenda rregullave

Merxha, në stol me Elbasanin

Zgjidhja e gjithë këtij problemi ishte fare e thjeshtë dhe do t‘ia kishte kursyer Federatës Shqiptare të Futbollit një tjetër figurë të keqe. Formula e përdorur në Kupën e Shqipërisë, ku një futbollist mund të luajë vetëm me një skuadër gjatë një sezoni, është huazuar nga formati që UEFA përdor në aktivitetet evropiane për klube. Mjafton t‘i hedhësh një sy rregullores së “qeverisë” kontinentale, për të kuptuar se Flamurtari nuk duhet penalizuar, pasi nuk ka bërë asnjë shkelje si ato të Dinamos dhe Partizanit. Në nenin 17, pika 7 të kapitullit për “Situata të Paparashikuara” thuhet shprehimisht: “Përveç tre raundeve të Kupës Intertoto dhe aktivizimit në Superkupë, një lojtar nuk mund të luajë në aktivitetet e UEFA-s për klube për më shumë se një skuadër brenda të njëjtit sezon. Futbollistët që kanë qëndruar në stolin e rezervave dhe nuk kanë hyrë në fushë me skuadrën e mëparshme, lejohen të aktivizohen me një tjetër ekip brenda të njëjtit sezon”. Kjo favorizon vlonjatët për çështjen e lojtarit Eriol Merxha. Ky i fundit ka qenë pjesë e Elbasanit në ndeshjen kundër Besëlidhjes, të vlefshme për Kupën e Shqipërisë, por ka qëndruar vetëm në stol. Duke qenë se nuk e ka prekur fushën me elbasanasit, sipas rregullores së UEFA-s, ai lejohet të luajë me Flamurtarin.

Rregullorja e UEFA-s

Neni 17, pika 7, në kapitullin për “Situata të Paparashikuara” thuhet: “Një lojtar nuk mund të luajë në aktivitetet e UEFA-s për klube për më shumë se një skuadër brenda të njëjtit sezon. Futbollistët që kanë qëndruar në stolin e rezervave dhe nuk kanë hyrë në fushë me skuadrën e mëparshme, lejohen të aktivizohen me një tjetër ekip brenda të njëjtit sezon”

Dinamo

Avni Braçe: Disiplina përdor

dy standarde për njëjtin “faj”

Dinamos është skuadra që do të duhet të vuajë më shumë një vendim vërtet të çuditshëm të Komisionit të Disiplinës, në lidhje me gafën e aktivizimit të lojtarit Elis Bakaj në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Vllaznisë. Blutë janë skualifikuar nga Kupa për këtë arsye, edhe pse për të njëjtën arsye skuadrat Partizani dhe Flamurtari e kanë marrë një tjetër shans nga Disiplina për t‘u ndeshur edhe një herë në një fushë asnjanëse. Ky fakt ka habitur pa masë edhe drejtuesit e Dinamos, të cilët theksojnë se ky komision po përdor një gjykim me dy standarde për të njëjtin faj. “Komisioni i Disiplinës nuk është as në qiell e as në tokë”, nënvizon zëvendëspresidenti i bluve, të cilët siguruan kualifikimin në fushë ndaj Vllaznisë pas fitores 2-1 në Shkodër dhe barazimit 0-0 në Tiranë. “Po përdorin dy standarde për të njëjtën parregullsi, sqaron më tej ai. Dinamo për të njëjtin faj si edhe tri skuadra të tjera, që kanë gabuar me aktivizimin e lojtarëve të tillë në ndeshjet e para të Kupës, ndëshkohet maksimalisht. Është e çuditshme. Nuk i dimë arsyet pse. Është një vendim i errët, të cilin ne do ta apelojmë me shpresën se do të hidhet poshtë ky vendim absurd i Disiplinës. Jemi të vendosur t‘i shkojmë deri në fund, duke e ndjekur në anë ligjore”.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login