Berluskoni ul rrogat me 30%, Kaka, drejt largimit nga Milani

by on 05/03/09 at 2:18 pm

Prej krizës botërore, shpenzimet e kuqezinjve do të shkojnë në 80-85 milionë euro

Milani do të vendosë një “çati” për rrogat e futbollistëve, duke reduktuar shpenzimet me afro 30 për qind. Kjo është masa e marrë përpara disa javëve nga drejtuesit e klubit, për shkak të krizës ekonomike, që tregon qartë edhe “revolucionin” te kuqezinjtë. Berluskoni i foli Galianit në mënyrë të qartë: “Reduktoni kostot financiare, po shpenzojmë shumë”. Ndërhyrja e presidentit rrezikon të ndërpresë të gjitha blerjet e mundshme për sezonin e ardhshëm. Kjo mund të jetë edhe arsyeja se përse pas Tiago Silvës, në janar nuk u realizua transferimi i Dani Ager, i cili kushtonte 8 milionë euro. Afrimet e reja do të jenë lojtarë me parametër zero, ose të rinjtë që kushtojnë lirë. Në radhët e klubit, askush nuk flet për këtë temë, edhe sepse skuadra është në luftë për të siguruar një vend në Champions dhe lajme të tilla do të ndikonin negativisht. Gjithsesi, fjalët janë përhapur, duke arritur deri në qendrën stërvitore të Milanelos. Tashmë lojtarët dhe menaxherët e tyre janë informuar për reduktimin e kostove. Kjo është hera e parë nën presidencën e Berluskonit, që në klub ngrihet problemi i financave, e cila mund të sjellë edhe një proces të mirëfilltë seleksionimi. Momentalisht, kuqezinjtë udhëheqin klasifikimin e rrogave më të larta në Serinë A, së bashku me Interin: 120 milionë euro bruto në sezon. Pas tyre vjen Juventusi (115 milionë euro), ndërsa Roma ndodhet shumë larg, me një buxhet prej afro 65 milionë eurosh. Por, me ndryshimet e reja, Milani mund të zbresë në vendin e tretë, duke shpenzuar 80 ose 85 milionë euro për rrogat e skuadrës. Ende nuk dihet se në ç‘bazë kriteresh do të bëhen shkurtimet. Lojtari më i paguar është Rikardo Kaka, me rreth 9 milionë euro në sezon. Problemet financiare te “Djalli” kanë bërë që për brazilianin të rifillojë interesimi nga skuadrat e tjera, ku Reali i Madridit, Çelsi dhe Mançester Siti janë gati të paguajnë shifra marramendëse. Klubi në rrugën “Turati” ka deklaruar qartë se lojtari nuk është në shitje dhe largimi mund të ndodhë vetëm nëse Kaka kërkon të përfitojë më shumë para, edhe sepse te Milani nuk do të ketë më rritje të tjera të rrogës.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login