BE: Zgjedhjet, kusht kritik
by Andi Bega on 05/03/09 at 12:02 am
Olli Rehn: Mos këmbëngulni për aplikimin, do kemi kohë më të mira
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ecuria e tyre do të jenë vendimtare për rrugën e Shqipërisë drejt proceseve integruese. Këtë deklaratë e ka bërë dje komisioneri evropian për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Olli Rehn, në një prononcim për mediat në Bruksel. “Zgjedhjet në Shqipëri janë kushti kritik kur t‘i vijë koha vlerësimit, se sa i gatshëm është vendi për t‘i dhënë statusin kandidat”, tha Rehn. Në vlerësimin e tij, Shqipëria gëzon perspektivën evropiane, me qëllimin përfundimtar të anëtarësimit, gjë e cila kërkon që në një moment të jetë logjike dhe e natyrshme që Shqipëria të aplikojë për anëtarësim në BE. Por, shtoi ai, ne kemi kritere shumë të qarta për këtë dhe njësoj si në rastin e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, vendi duhet të plotësojë kriteret politike dhe numri një i këtyre është mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme sipas standardeve ndërkombëtare. “Konkluzionin nga kjo mund ta nxirrni ju”, insistoi Rehn. Teksa u referohet proceseve brenda unionit evropian, komisioneri vlerëson se “ne mund të kemi disa sfida bashkëkohore, si recesioni ekonomik, kriza financiare dhe ratifikimi i traktatit të Lisbonës etj. Por jeta vazhdon dhe ne do të kemi kohë më të mira në një moment tjetër, ndaj është e këshillueshme që vendet të bëjnë progres të mirë në reformat e tyre dhe që të bëhen edhe më të gatshëm për të marrë përsipër detyrimet për anëtarësimin evropian, duke iu afruar më shumë qëllimit të tyre për të hyrë në Bashkimin Evropian”, sqaron ai. Deklaratat e Olli Rehn vijnë pak ditë pasi ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Karen Schwarzenberg, vend që kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, i këshilloi Tiranës zyrtare të shtynte aplikimin për statusin e kandidatit në BE. “Nuk ka dyshim se presidenca çeke dhe ajo pasardhëse suedeze janë më të hapurat ndaj shtrirjes së BE-së në Ballkan. Nga ana tjetër, ne e konfirmuam solemnisht edhe sot që Shqipëria është e ftuar të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”, tha ai gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Basha. Por aktualisht, vijoi ai, nëse ju do më ftoni në shtëpinë tuaj, unë e pranoj ftesën dhe i bie ziles. E pikërisht në atë moment janë çarë tubat dhe shtëpia noton në ujë, ju nuk do jeni aq mikpritës sa do ishit në një moment normal. “Nga kriza ekonomike, BE-ja është tashmë si një shtëpi e mbushur me ujë. Pra nxirrini vetë pasojat e kësaj”, tha Schwarzenberg. Një batute të tillë, zyrtarisht Ministria e Jashtme ju përgjigj me insistimin për të aplikuar për statusin e kandidatit në BE brenda presidencës çeke. Para dy ditësh ishte Kryeministri Sali Berisha ai që ju përgjigj kësaj çështjeje me batutë, duke thënë se “tani mund të shtyhet pak, sa të thahet uji. Kjo është normale, ne miqtë i mirëkuptojmë, por brenda presidencës çeke ne duam që ta paraqesim”.
Leave a Comment