Gjiri i Jalit, pronat që u falsifikuan

by DashiC on 05/02/09 at 2:03 pm

Thellohet skandali. Pas raportit të Bankës Botërore, zbulohen të tjera abuzime. Një person i vetëm përfitoi 40 hektarë tokë në zonën turistike Mbivendosjet e pronave shtrihen në bregdetin e Jalit, në Vlorë. Hetimet e prokurorisë së qytetit bregdetar kanë konstatuar se në këtë zonë ka një mbivendosje prej 40 hektarësh. Përfitues është një qytetar nga Vlora, i cili është marrë nën hetim. Megjithatë, burimet nga prokuroria lokale thanë se hetimet do të shtrihen edhe ndaj Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Provave në qytetin e Vlorës. Nëse konstatohen elementë të veprës penale, ndaj të dyshuarve do të merren masa ndaluese, ku nuk përjashtohen edhe arrestimet. Ndërkohë, burime nga Prokuroria e Vlorës thanë se hetimet për këtë skandal kanë filluar kryesisht në bazë të investigimeve të prokurorëve të çështjes. Mbivendosja Një pronë prej 40 mijë metrash katrorë është mbivendosur në zonën bregdetare të fshatit Jal në Vlorë, ku Banka Botërore ka financuar një plan për rindërtimin e zonave turistike në bregdet. Historia daton disa muaj më parë në qytetin e Vlorës. Një qytetar, emri i të cilit nuk mund të bëhet i ditur për arsye hetimore, është paraqitur në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në këtë qytet. Banori pretendonte se trashëgonte një pronë në bregdetin e Jalit, që kapte sipërfaqen e 40 hektarë. Pas paraqitjes së dokumenteve, AKKPja me një mbledhje urgjente i ka kthyer pretenduesit të gjithë sipërfaqen që kërkonte. Deri në këto procedura skandali nuk ishte zbuluar. Prokuroria e Vlorës merr disa informacione në mënyrë operative për megaskandalin me një dëm që llogaritet në rreth 20 milionë euro. Nëpërmjet përgjimeve dhe vëzhgimeve arrijnë të zbulojnë se dokumentet që kishte paraqitur “pronari” ishin falsifikuar dhe toka i përkiste një familjeje tjetër. Hetues të çështjes kanë sekuestruar në zyrën e AKKP-së dokumentet që kishte depozituar shtetasi, të cilat rezultojnë se janë të falsifikuara. Hetimet Prokuroria e Vlorës ka marrë në pyetje personin që i ka paraqitur agjencisë së AKKP-së dokumente të falsifikuara. Nga hetimet e para ka rezultuar se shkresat nuk ishin origjinale. Ndaj këtij personi, hetuesit kanë ngritur akuzën e “tjetërsimit të pronës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”. Ndërkohë, hetimi është thelluar për të përcaktuar gjithë mekanizmin e mbivendosjes së pronës në bregdetin e Jalit, një pronë e lakmueshme nga biznesmenë të shumtë. “Krahas personit që ka përfituar në mënyrë të paligjshme 40 hektarë pronë, hetimet janë shtrirë edhe ndaj zyrtarëve të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë. Por nuk përjashtohen nga hetimi edhe zyrtarët e lartë të AKKP-së së përgjithshme”, thanë burimet nga Prokuroria e Vlorës, duke saktësuar se hetimi është në vijën e duhur dhe shumë shpejt do të merret një vendim përfundimtar për personat nën hetim, si dhe për ta dërguar çështjen në gjykatë. “Nuk ka as më të voglin dyshim. Në bregdetin e Jalit ka një mbivendosje prone. Kemi nën akuzë një person dhe shumë shpejt do të vendosim për personat e tjerë. Kemi prova që vërtetojnë mbivendosjen”, përfundojnë burimet nga Prokuroria e Vlorës. Në gjirin e “Gjeneralit” u mbivendosën 48 ha Disa javë më parë, Prokuroria e Tiranës filloi një hetim për 48 hektarë mbivendosje në vendin e quajtur gjiri i “Gjeneralit”, në Rrethin e Kavajës. Nën hetim janë tetë persona, midis të cilëve edhe ish-kreu i AKKPsë, Tunxh Vatnikaj, si dhe një biznesmen. Prokuroria ka vërtetuar akuzat në bazë të vëzhgimeve dhe përgjimeve ndaj të hetuarve. Dëmi i shkaktuar llogaritet rreth 20 milionë euro. Braçe: Të hetohet familja që qeveris vendin Socialistët kërkojnë që prokuroria të nisë hetimet për familjarët e Sali Berishës, në lidhje me akuzat që ngrihen nga një raport i Bankës Botërore. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, tha dje se “një mori faktesh, të dokumentuara dhe me vendime të qeverisë së Sali Berishës, po provojnë çdo ditë se Sali Berisha po përdor në mënyrë kriminale çdo aktivitet publik e ekonomik për të përfituar personalisht, familjarisht nga blerja në terrenin e Shqipërisë, si dhe shtrirja po familjarisht në çdo aktivitet ekonomik në vend”. Sipas Braçes, Berisha po blen Shqipërinë dhe shqiptarët do të jenë shpejt punëtorët me mëditje në aktivitetet ekonomike të tij. “I gjithë ky sistem ekonomiko-kriminal ka në thelb konfliktin e interesit e përmes tij përfitime të paligjshme deri në monopolizëm të aktivitetit ekonomik në vend”, tha Braçe, i cili theksoi se “hetimi i veprimeve abuzive mbi projektin, është urdhëruar më datë 1 nëntor 2007 nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të BB. Pra, jo nga opozita”. Vasili e Neranxi mbështesin banorët e Jalit Lëvizja Socialiste për Integrim ka komentuar dje të ashtuquajturën “Çështje të gjirit të Jalit” nëpërmjet dy eksponentëve të saj në Tiranë dhe në Himarë. Në Tiranë, sekretari i Përgjithshëm, Petrit Vasili, tha se “LSI ka denoncuar fort dhe publikisht dy vjet më parë masakrën e konsumuar në Jal, kur qeveria e Berishës sulmoi me fadromën dhe policinë e saj pronat e banorëve të fshatit Vuno në atë zonë”. Sipas tij, qeveria e Berishës i sulmoi këto prona me një egërsi të padëgjuar, sepse interesat e ngushta klienteliste dhe korruptive e udhëhoqën për ta bërë këtë. “Sot gjithçka që LSI bëri publike është vërtetuar qartë dhe problemi është bërë kritik, sepse korrupsioni i lartë qeveritar shkon deri te Kryeministri dhe kjo është provuar pa asnjë ekuivok edhe në raportin investigues të panelit inspektues të Bankës Botërore”. Ndërkohë, deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi, ka shkuar dje në zonën e tij, në Himarë, për të shprehur mbështetjen ndaj banorëve të Vunoit, pronat e të cilëve në gjirin e Jalit u shkatërruan në vitin 2007.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login