Financat: 1600 punonjës,me kontratë
by DashiC on 05/02/09 at 2:08 pm
Ministria e Financave hedh poshtë pretendimet e opozitës se po merren punonjës me kontratë për efekte të fushatës elektorale. Dikasteri i Ridvan Bodes ka sqaruar ligjin që i jep të drejtë të marrë punonjës përkohësisht, në varësi të projektit. Sikundër është bërë publike, qeveria ka miratuar VKM për marrjen me kontratë të 1619 punonjësve brenda 6-mujorit të parë 2009. Sipas ministrisë, punonjësit me kontrata të përkohshme, kontraktohen nga të gjitha institucionet buxhetore, me kusht që kohëzgjatja e nevojës për këtë kategori punonjësish të mos jetë më e madhe se 6 orë në ditë. “Qeveria me propozim të Ministrisë së Financave ka disiplinuar përdorimin e fondit të pagave duke mënjanuar praktikat jo efektive dhe korruptive të qeverisë së mëparshme, në radhë të parë për punonjësit me kontratë të përkohshme, pagesat për orët jashtë orarit, si dhe shpërblimet e pakontrolluara e pa kritere ligjore”, sqaroi dje ministria. Financat paraqesin disa të dhëna që konsistojnë në uljen e shpenzimeve për paga, falë aplikimit të ligjit të ri. Ndërkohë që paga mesatare është rritur me 55.25% dhe ajo minimale me 44%, fondi i pagave është rritur në këto 3 vjet me vetëm 30% duke i kursyer buxhetit të shtetit 11 miliardë lekë.
Leave a Comment