Diplomat, protesta në Elbasan e Durrës

by on 05/02/09 at 2:22 pm

Kundërshtojnë certifikatat që u jepen në përfundim të ciklit trevjeçar të studimeve

Protestat kundër diplomave, që nisën në Gjirokastër e vijuan në Tiranë, janë zhvendosur tashmë edhe në Elbasan e Durrës. Studentët e Gazetarisë në Universitetin e Elbasanit dhe ata të Infermierisë në Universitetin e Durrësit kanë dalë dje në protesta, duke kërkuar një vlerësim dinjitoz pas përfundimit të ciklit trevjeçar të studimeve në degët përkatëse.

Elbasan

Studentët e degës së Gazetarisë në Universitetin e Elbasanit kanë zhvilluar dje protestën e tyre të parë për diplomat. Me pankarta dhe fotokopjet e “diplomave” në duar ata kanë bllokuat për 30 minuta portën e godinës universitare. Janë djem dhe vajza që kanë mbaruar ciklin e studimit universitar nga shumë rrethe të vendit në këtë universitet, por nuk janë pajisur me diploma specifike për degën e përfunduar. Ndërsa në pankartat prej kartoni shkruhej: “Zbatoni Kartën e Bolonjës!”, “Ndjehemi të mashtruar!”, “Duam diploma dhe jo letra pa vlerë”, dhjetëra studentë kanë ngritur zërin të zhgënjyer që pas tre viteve studime klasifikimi i tyre është bërë vetëm me një certifikatë në vend të diplomës. “Na duket se kemi studiuar kot përderisa jemi pajisur me një vërtetim prej letre e formatit A4, tha Kujtim Topuzi, një prej studentëve që ka mbaruar studimet në degën e Gazetarisë vitin e kaluar. Studentët kanë shpjeguar se me këtë lloj vërtetimi kurrsesi nuk mund të fillojnë punë në ndonjë vend dhe se do ta përshkallëzojnë protestën e tyre në ditët e ardhshme. Ndërkohë, shefi i departamentit të Fakultetit Gjuhë-Letërsi dhe Gazetari, dr.Albert Riska, ka shpjeguar në detaje këtë “certifikim”. “Është e drejta e tyre për protestën, por dua të shpjegoj se kontingjenti që ka mbaruar ciklin e lartë të studimeve trevjeçare nuk mund të marrë diplomë, pasi duhet të përfundojnë edhe një vit shtesë dhe më pas mund të kualifikohen me diploma të nivelit të parë, sipas Kartës së Bolonjës, që aplikohet edhe në këtë universitet”, ka deklaruar Riska. Sipas tij, kjo degë quhet “Media dhe komunikim” dhe vetëm pas përfundimit të vitit të katërt të studimeve të larta me përzgjedhjen e degës çdo student mund të diplomohet në degën që mbaron. Riska tha se pritet vetëm vendimi i Këshillit të Ministrave, pasi universiteti ka fituar akreditimet në komisionet ministrore për të përcaktuar shkallët kualifikuese dhe formulimin e diplomës pas përfundimit të ciklit të dytë të studimeve.

Durrës

Studentët e shkollës së lartë të degës Infermieri e Përgjithshme braktisin auditorët në kërkim të një diplome të njehsuar. Ndryshe nga problematika që hasin studentët e universiteteve të tjera publike në vend, studentët e Infermierisë në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës kanë kërkuar që shkolla e lartë profesionale ku ata studiojnë të kthehet në fakultet të veçantë. Ditën e djeshme studentët kanë protestuar duke kërkuar që diploma e tyre në përfundim të studimeve të jetë e njëjtë me atë që marrin studentët e tjerë të degës së Infermierisë në universitetet e tjera të vendit. Në të vërtetë, që në fillim të regjistrimit në këtë degë, kandidatët për studentë e kanë ditur se bëhet fjalë për një shkollë të lartë profesionale dhe jo për një degë fakulteti. Megjithatë, studentët thonë se kanë krahasuar lëndët me studentët e universiteteve të tjera dhe se ato janë të ngjashme dhe pothuajse me të njëjtin program akademik, ndaj nuk mund të kenë një vlerësim më të ulët në diplomimin e tyre, pasi kjo ndikon drejtpërdrejt në punësim. Studentët kanë firmosur një peticion, të cilin do t‘ia nisin Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të kthyer statusin e shkollës së tyre nga shkollë e lartë, në fakultet.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login