ZEKERIA CANA, HISTORIANI QË HYRI NË HISTORI

by Andi Bega on 12/01/09 at 2:54 pm

Prof. Dr. Zekeria Cana, i shuar të shtunën dhe i varrosur të dielen pasdite me nderime të larta kombëtare në Prishtinë, është vlerësuar ndër historianët dhe veprimtarët më të shquar të çështjes politike, humanitare dhe kombëtare në Kosovë dhe kudo në botën shqiptare. Ky ishte vlerësimi nga presidenti i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu.
Prof. Dr. Zekeria Cana, një ndër veteranët e histografisë shqiptare, figurë e dalluar e historisë sonë kombëtare, lindi në Gjakovë, më 15 mars 1934. Shkollën fillore, Gjimnazin e ulët dhe Normalen i kreu në vendlindje. Punoi dy vjet si arsimtar në Irzniq dhe Deçan, duke u marrë njëkohësisht me gazetari si korrespodent i gazetës tradicionale të Kosovës “Rilindja” dhe Radio Prishtinës. Më 1954 i filloi studimet (si bursist i “Rilindjes”) në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua në degën e historisë. Punoi aktivisht në organizatat studentore. Është njëri ndër themeluesit e Shoqatës Shqiptare “Përpjekja” të studentëve të Beogradit dhe sekretar i parë i saj, që me veprimtarinë e vet të ngjeshur la gjurmë të pashlyeshme. Më 1959 u largua nga Partia Komuniste e Jugosllavisë (PKJ) për shkak të mospajtimit me qëndrimin dhe politikën jugosllave ndaj popullit shqiptar
Pas diplomimit ushtroi detyrën e profesorit të historisë dhe të ekonomisë politike në shkollat e mesme të Prishtinës dhe Gjakovës. Më 1962 u pushua nga puna dhe kaloi në Arkivin Krahinor Shtetëror të Prishtinës, por e larguan edhe se andejmi dhe qëndroi një vit pa punë. Statusi i tij u rregullua pas Plenumit IV të LKJ të Brioneve (1966). Me rithemelimin e Institutit Albanologjik (1967) u pranua aty si asistent në Degën e Historisë. Më 1975 kreu studimet pasuniversitare në Beograd dhe mbrojti tezën e magjistraturës me titull: “Lëvizja Kombëtare e Shqiptarëve në Kosovë 1909-1912 dhe qëndrimi i Serbisë ndaj kësaj lëvizjeje”, kurse më 1984 në Fakultetin Filozofik të Prishtinës mbrojti disertacionin e doktoratës: “Socialdemokracia Serbe dhe çështja shqiptare 1903-1914”, duke u bërë model se si punohet dhe si mbrohet një disertacion shkencor e cilësor.
Krahas punës kërkimore-shkencore, ai pati aktivitet të ngjeshur edhe në rrafshin shoqëror, politik dhe humanitar. Është bashkautor dhe shpërndarës kryesor i Apelit të 215 intelektualëve shqiptarë kundër rrënimit të autonomisë që kishte Kosova si element konstituiv i federatës me Kushtetutën e vitit 1974, themelues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, që kërkonte guxim e vendosmëri dhe sakrificë personale e familjare dhe nismëtar i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve dhe të Ngatërresave dhe krah i djathtë i prijesit të kësaj Levizje, Prof.Anton Çetës.
Shkrimet e para shkencore zuri t’i shtjellojë më 1962. Në themel të çështjeve dhe problemeve që trajtohen, studimet e Dr.Canës, kanë mbështetje të gjerë burimore, arkivore dhe bibliografike. Ato sjellin një kontribut të rëndësishëm për kryengritjet e mëdha shqiptare 1908-1912, duke trajtuar edhe probleme të mprehta politike, sociale, ekonomike, arsimore etj., gjatë periudhës në shqyrtim.
Nga sfondi historik, që jepet në pjesën më të madhe të botimeve të veçanta dhe të studimeve shkencore historike, del qartë se autori jo vetëm që i ka ndjekur hap pas hapi këto kryengritje me karakter gjithëkombëtar, por edhe i ka parë të ndërlidhura ngushtë me gjendjen e Shqipërisë Etnike, me detyrat e Lëvizjes Kombëtare e Demokratike Shqiptare, kriter që i ka dhënë një vlerë të madhe trajtimit të ngjarjeve dhe fakteve kryesore të dy periudhave historike: para dhe pas shpalljes së Pavarësisë.
Mbi bazën e analizave shkencore, dhe duke pasur qëndrim kritik ndaj ngjarjeve të viteve të fushës së interesimit, Dr.Zekeria Cana bën shpjegimin historik të dokumenteve, punë që dëshmohet me anë te dokumenteve, duke demaskuar dhe duke hedhur poshtë si pseudoshkencë pikëpamjet dhe qëndrimet e histografisë ekspansioniste serbosllave lidhur me Shqipërinë Etnike të këtyre viteve dhe me shqiptarët, veçmas thekson vlerësimin e drejtë te rolit të masave dhe personaliteteve me peshë historike në këto luftëra për çlirimin kombëtar shqiptar.
Këto studime, që pasqyrojnë objektivitetin historik të ngjarjeve me rëndësi të madhe për historinë e popullit shqiptar, të shkruara me stil të rrjedhshëm, me gjuhë të pastër, me fjali të sakta, të qarta e të kuptueshme, kultivues e aktivizues i një leksiku të rrallë, sjellim një kontribut të rëndësishëm me njohjen e periudhës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe japin mundësinë për studimet e thelluara nga kjo fushë. Njëherit këto studime qartësojnë shumë koncepte dhe pikëpamje rreth mjaft çështjeve të diskutueshme historiografike të viteve 1908-1912.
Dr. Zekeria Cana ka botuar 14 libra e mongrafi, si edhe një sërë artikujsh, studimesh e recensionesh të paraqqitura në konferenca e simpoziume shkencore. Ai ka përkthyer edhe disa vepra shkencore, me interes për historiografinë. Dr Zekeria Cana ka lënë të gatshme për botim edhe dy libra që përfshijnë ngjarjet dhe proceset politike të periudhës më të re.

Ndër veprat e botuara të Prof. Dr. Zekeria Canës janë: Shpaline historike (Rilindja, 1982), Lëvizja kombëtare shqiptare në Kosovë, 1908-1912 (Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, 1982), Populli shqiptar në kapërcyell të shek. XX (Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1990), Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913 (Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1997), Ditari i robërisë (Rozafa, 2000)

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login