Volejboll Meshkuj. Eliminatoret e kampionatit botëror. Kuqezinjtë fitojnë 3 1 ndaj moldavëve
by Andi Bega on 12/01/09 at 2:42 pm
Shqipëri – Moldavi 3 – 1
(25 22, 25 21, 16 25, 25 23)
SHQIPËRIA: Kasa, Lundra, Ndoni, Husaj, Mëhilli, Kajtazi, Gorenxa (L) / Tukseferi, Bardhi, Lenja, Moku, Prifti. Trajner: Y. Tomorri
MOLDAVIA: Sintov, Lazarev, Lescov, Didorciuc, Stelmah, Sclearenco, Sceglov (L) / Zaharov, Cosarev, Pantiri, Iarschi, Tucov. Trajner: A. Romascan
Gjyqtarë: F. Drago (Sllo), Zulfugarov (Aze)
Shikues: 50
Kohëzgjatja: 1 orë, 46 minuta
Kombëtarja e Shqipërisë në volejboll për meshkuj e mbyll me fitore aventurën e saj botërore, duke mundur 3 1 Moldavinë në ditën e tretë dhë të fundit të eliminatoreve të kampionatit botëror.
Ndeshjet, që u zhvilluan për tri ditë me radhë në Guba të Azerbajxhanit, dhuruan dy fitore dhe një humbje për kuqëzinjtë, që e mbyllën grupin në vendin e dytë, pas Malit të Zi, me 3 fitore. Ndeshja e djeshme ndaj moldavëve, që ashtu si kuqezinjtë synonin vendin e dytë, ishte mjaft e bukur, me rivalitet dhe emocione, pasi të dy ekipet rivalizuan mirë midis tyre.
Por skuadra shqiptare, që drejtohet nga trajneri Ylli Tomorri, tregoi një formë të mirë dhe zhvilloi një lojë të shkëlqyer, duke e merituar fitoren. Vendi i dytë në grup është më se i merituar, duke lënë pas skuadrën vendase të Azerbajxhanit dhe Moldavinë.
Ndeshja e djeshme ndaj Moldavisë pritej me interes dhe deri në pikët e fundit loja ishte e bukur, e hapur dhe me ritëm të lartë. Trajneri Tomorri konfirmon gjashtëshen që mposhti Azerbajxhanin, ku dallohen Husaj (18 pikë), Lundra (9 pikë) dhe Mëhilli (15 pikë), tre shënuesit më të mirë të kuqezinjve në këtë ndeshje.
Loja është e ekuilibruar dhe rezultati barazohet disa herë, deri në pikën e 17 të, çast kur kuqezinjtë shkëputen 20 18 dhe fitojnë 25 22 setin e parë. Edhe në të dytin loja ka ritëm dhe emocione, moldavët kundërpërgjigjen mirë, por hasin në bllokun efikas të Ndonit (6 pikë në bllok nga 14 gjithsej të kuqezinjve).
Set që i ngjan të parit për nga mënyra se si rrodhën ngjarjet dhe në fund janë volejbollistët tanë që fitojnë 25 21. Në setin e tretë janë moldavët që kërkojnë të rihapin ndeshjen dhe ia dalin mbanë, duke pasur epërsi që në pikët e para.
Në fushë për kuqezinjtë aktivizohen të gjithë lojtarët e stolit, duke u dhënë mundësi titullarëve të çlodhen (kasa ka luajtur i dëmtuar në këtë takim). Moldavia fitoi 25 16 setin e tretë dhe rihap lojën, por ndërrimet i japin frytet në setin e katërt, loja “ndizet” sërish në setin e katërt, me shumë barazime dhe me emocione në pikët e fundit.
Por në fund Shqipëria tregohet konkrete më lojën e saj, gabon pak dhe shkëputet 20 18, 24 22 dhe fitojnë 25 23 setin e katërt dhe krejt ndeshjen 3 – 1. Një fitore e merituar e kuqezinjve, që edhe një herë treguan një lojë të shkëlqyer, një grup i ri dhe shumë premtues për të ardhmen, që përsëriti suksesin e 4 viteve më parë, ku në Estoni u rendit sërish në vendin e dytë.
Loja e treguar i ka befasuar mjaft rivalët tanë, sidomos Azerbajxhanin, që na eliminoi në majin e vitit të kaluar nga europiani. Ekipi niset sot drejt Tiranës dhe volejbollistët do të përgatiten për startin e fazës së dytë të kampionatit kombëtar, që rinis më 17 janar.
Leonard Tase: Një kombëtare mjaft e mirë
Sekretari i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Leonard Tase, u shpreh i kënaqur me rezultatin e arritur nga kombëtarja e meshkujve dje ndaj Moldavisë dhe e vlerësoi mjaft lojën e zhvilluar nga tanët. “Kemi zhvilluar sërish një ndeshje mjaft të mirë, kemi një kombëtare mjaft të fortë, shtatlartë që në këtë turne na bëri të ndihemi krenarë me lojën që zhvilloi.
Arritëm dy fitore mjaft të vështira, por të merituara, ndaj dy skuadrave të forta, që kishin llogaritur “fitoret” ndaj nesh, por i mundëm me meritë. I uroj djemtë dhe stafin për rezultatet e arritura dhe kënaqësinë që na dhanë me lojërat e zhvilluara,” – tha nga Guba e Azerbajxhanit sekretari i FSHV së, Tase.
Ylli Tomorri: Arritëm objektivat tona
“Arritëm objektivim që kishim, pra të mundnim Azerbajxhanin dhe Moldavinë. Natyrisht, dëshira ishte që t’i fitonim të tri ndeshjet dhe të dilnim në vend të parë, por e dinim që do ta kishim tepër të vështirë të fitonim ndaj Malit të Zi, një ekip shumë më i përgatitur dhe me përvojë.
Sot (dje) ndaj Moldavisë zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë, skuadra tregoi se mund të rivalizojë ndaj skuadrave të forta dhe të jetë konkrete në lojën e saj. Dy fitore që japin moral dhe më bëjnë të shpresoj se ky grup djemsh premton shumë për të ardhmen, ku natyrisht në Lojërat Mesdhetare do të kërkojmë diçka më shumë. I uroj djemtë për atë çka treguan në fushë,” – tha pas ndeshjes trajneri i kuqezinjve, Ylli Tomorri.
Eliminatoret e botërorit 2010
Zona europiane, grupi D
Dita e parë (të premten)
Moldavi – Mali i Zi 0-3
Azerbajxhan – Shqipëri 0-3
Dita e dytë (të shtunën)
Shqipëri – Mali i Zi 0-3
Moldavi – Azerbajxhan 3-2
Dita e tretë (dje)
Shqipëri – Moldavi 3-1
Mali i Zi – Azerbajxhan 3-0
(25-14, 25-15, 25-18)
Renditja
MALI I ZI 6 3 0 9-0
SHQIPERIA 5 2 1 6-4
MOLDAVIA 4 1 2 4-8
AZERBAJXHANI 3 0 3 2-9
Leave a Comment