Vllaznia merr Sukajn, pret Telin dhe bën tratativa me Bejzaden
by admin on 10/01/09 at 3:26 pm
Xhevahir Sukaj me shumë mundësi do të jetë futbollist i Vllaznisë edhe për pjesën e mbetur të sezonit. Kjo për vetë faktin se rikthimin në formë huazimi te kuqeblutë, që e lançuan në arenën ndërkombëtare, ishte një nga dy mundësitë e vetme, të cilat kishte në dorë sulmuesi shkodran. Në verën e kaluar, Sukaj ka nënshkruar me Haxhetepen një kontratë, në bazë të së cilës, prishja e njëanshme e saj do të detyronte lojtarin t‘i shlyente klubit një detyrim prej 150 mijë eurosh. Dëshira e talentit për t‘u larguar nga klubi turk ka qenë e madhe, por mundësia ta bërë atë nëpërmjet dëmshpërblimit financiar ka qenë e vogël. Mundësia e fundit për të mos luajtur më me skuadrën turke, ishte ajo e huazimit, por drejtuesit e Haxhetepes kanë vënë një kusht për këtë: Ose i huazuar te Vllaznia, me të cilën kanë edhe marrëdhënie shumë të mira për shkak edhe të binjakëzimit të dy klubeve, ose të qëndrojë te skuadra turke. Sukaj duket se ka zgjedhur ndarjen më të lehtë, atë të huazimit te ish-klubi i tij, Vllaznia. Skuadrat me të cilat ka luajtur Sukaj janë Vllaznia (74 ndeshje, 19 gola), Elbasani (4 ndeshje, 0 gola) dhe së fundi me Haxhetepe (8 ndeshje, 0 gola). Dje nuk kanë munguar zërat për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes presidentit Valter Fushaj dhe drejtuesve të skuadrës turke, për marrjen e Sukajt në formë huazimi, por ka munguar konfirmimi zyrtar i kuqebluve. E njëjta procedurë pritet të përdoret edhe për lojtarin tjetër shkodran të Haxhetepes, Admir Teli. Ndërkohë, Vllaznia po lëviz edhe në merkato, ku Skerdi Bejzade shihet si një alternativë e mundshme. Burime pranë palëve garantojë se ka një pëlqim të dyanshëm, dhe prandaj duket se janë hapur tratativat mes tyre për arritjen e një marrëveshjeje.
Leave a Comment