Ukraina: Rusia po saboton furnizimin e Evropës me gaz

by on 05/01/09 at 8:20 pm

Polonia, Hungaria, Rumania, Bullgaria dhe Turqia kanë raportuar ulje të ndjeshme të sasive të furnizimit nga kompania shtetërore ruse “Gazprom”

Të dielën, Ukraina akuzoi zyrtarisht Rusinë se me dashje po pakëson sasitë e gazit drejt konsumatorëve evropianë, në një kohë që këta po përballen me temperatura tepër të ulëta. Polonia, Hungaria, Rumania, Bullgaria dhe Turqia kanë raportuar ulje të ndjeshme të sasive të furnizimit, pasi kompania shtetërore që ka monopolin e gazit, la pa furnizim Ukrainën gjatë ditës së Vitit të Ri për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çmimin.

Rusia, nga ana e saj, akuzon Kievin si shkaktare të gjendjes së ardhur si rezultat i vjedhjes së volumeve që rrjedhin nëpërmjet territorit të vet. Por Ukraina reagoi menjëherë duke bërë me dije se Rusia ka pakësuar volumet më shumë se 50 për qind, duke bllokuar një rrjet kyç tubacionesh.

“Kompania jonë i konsideron veprimet e ‘Gazprom‘ si kërcënim ndaj sigurisë energjetike të Ukrainës dhe Evropës, gjë që mund të sjellë pasoja të paparashikueshme për të gjithë sistemin e transitit të gazit për Evropën”, bëri me dije përmes një deklarate për shtyp “Naftogaz”, kompania energjetike shtetërore e Ukrainës. “‘Naftogaz kërkon rivendosjen e menjëhershme të sasive të munguara të gazit në të gjitha tubacionet e transportit që furnizojnë me gaz konsumatorët evropianë‘”.

Nga ana e vet, “Gazprom” bëri me dije të dielën se ka respektuar tërësisht detyrimet ndaj konsumatorëve evropianë. Sasitë e furnizimit me gaz të Gjermanisë, ekonomisë më të madhe në Evropë, rezultojnë të paprekura, ndërkohë që vendet gjetkë kanë bërë me dije se zotërojnë rezerva të mjaftueshme për të përballuar ndërprerjet ruse për disa ditë, megjithëse jo për javë të tëra.

Turqia është vendi i fundit që ka njoftuar se e ka ndjerë pakësimin e prurjeve të gazit. Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Energjisë tha se volumet që vijnë nga Rusia përmes Ukrainës janë pakësuar me 5 për qind, megjithëse ende gjendja e re nuk po paraqet probleme. Bashkimi Evropian, i cili merr një të pestën e volumit total përmes tubacioneve që kalojnë nëpërmjet territorit ukrainas, ka kërkuar respektimin e kontratave. Republika Çeke, shteti që mban Presidencën e radhës së BE-së, bëri me dije se nuk do të përfshihej drejtpërsëdrejti në mosmarrëveshjet mes Rusisë e Ukrainës.

Një mosmarrëveshje e ngjashme vuri në rrezik furnizimin e Evropës me gaz para tri vjetësh. Ajo krizë e detyroi Bashkimin Evropian të kërkonte diversifikimin e burimeve të furnizimit, megjithëse mendohet se në të ardhmen e afërt, varësia nga gazi rus do të thellohet edhe më tej.

Kompania “Gazprom” bëri me dije të shtunën se po shtonte sasitë e furnizimit përmes rrugëve që nuk kalojnë nëpër territorin ukrainas, por mësohet se këto tubacione nuk e zotërojnë kapacitetin e mjaftueshëm për të zëvendësuar gazsjellësit ukrainas. Ukraina po bën çmos të mos konsiderohet nga ana e Bashkimit Evropian si fajtore për ndërprerjen e furnizimit, gjë që mund të cenonte planet e shtetit për t‘iu bashkuar këtij blloku.

Liderët shtetërorë rusë e ukrainas, më së shumti me pushime, kanë qenë të heshtur lidhur me këtë mosmarrëveshje. “Gazprom”, i cili këmbëngul se kriza nuk ka asnjë motivacion politik, por është shkaktuar nga motive fitimesh, tha se Kievi po bën lojëra politike dhe se nuk është e gatshme t‘i hyjë bisedimeve. Shefi i kompanisë “Naftogaz”, Oleh Dubina, bëri me dije se njerëzit e tij qenë të gatshëm të shkonin në Moskë në çdo moment për të nënshkruar një marrëveshje të re të pranueshme nga të dyja palët. Por të paktën tani për tani, një marrëveshje e tillë nuk gjendet në asnjë tavolinë.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login