Uithers: Obama është mik i Shqipërisë, por me tri kushte
by DashiC on 27/01/09 at 3:21 pm
Ambasadori i SHBA rreshton pritshmërinë e administratës së Presidentit të ri
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uithers, deklaroi dje se administrata e Presidentit të ri, Barak Obama, ka një pritshmëri të lartë ndaj Shqipërisë në tri drejtime kryesore që përbëjnë edhe kushtet ndaj qeverisë. Këto kushte janë:
Respekt për Kushtetutën, përpjekje të ripërtërira për të luftuar korrupsionin, dhe, me afrimin e anëtarësimit në NATO, një përkushtim ndaj parimeve e veprimeve demokratike që të jenë mbi çdo dyshim. Uithers i ka përcjellë dje mesazhin Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, se, pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane, SHBA do të vazhdojë të nxisë Shqipërinë që të forcojë demokracinë dhe sundimin e ligjit si e vetmja rrugë për zhvillimin e një shteti dhe ndërtimin e një shoqërie të lirë. Në Forumin për Sigurinë dhe Politikën e Jashtme me temë “Politika e jashtme amerikane, administrate e re, doktrinë e re”, diplomati amerikan i përcolli mesazhin politikës shqiptare se “Presidenti i SHBA-së, Barak Obama, do të jetë një mik i madh i shqiptarëve”. Ambasadori Uithers theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga zyrtarët e lartë shqiptarë që të respektojnë Kushtetutën, të luftojnë korrupsionin dhe të tregojnë përkushtim ndaj sundimit të ligjit. “Duket qartë që përkushtimi i Presidentit Obama ndaj demokracisë nuk është thjesht një diçka e përkushtimit ndaj ligjit, por shprehje e një besimi të brendshëm, dhe pa praktikimin e demokracisë në Shtetet e Bashkuara, unë nuk mendoj se do të bëhej e mundur që Obama të bëhej President i Shteteve të Bashkuara. E para, është e qartë që është besnikëri ndaj parimeve të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Në besimin e tij, Kushtetuta jonë është ungjilli kombëtar i kombit tonë, por dhe parimet e saj janë të njëjta për çdo komb tjetër. Si pikë e dytë, shohim që ai është i vendosur të luftojë korrupsionin në vendin tonë. Së treti, mund të shohim tashmë përkushtimin e tij të thellë ndaj sundimit të ligjit”, u shpreh ambasadori Uithers.
Berisha
Shefi i qeverisë, Sali Berisha, duke rikujtuar faktin se Shqipëria ndodhet në një vit elektoral, bëri me dije se është i vendosur për të çuar përpara reformat dhe se më 28 qershor, shqiptarët do të përballen me zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Mbetem plotësisht i angazhuar që me reforma të promovoj më tej luftën e madhe kundër korrupsionit, mbetem i angazhuar para së gjithash dhe mbi të gjitha për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”, theksoi Berisha. Sipas tij, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së janë të shkëlqyera.
Rama
Duke folur gjatë seminarit me temë “Politika e jashtme e SHBA-së” kryesocialisti Edi Rama u shpreh se shqiptarët duhet t‘i lexojnë qartë fjalët e Presidentit Obama, i cili thotë se politika duhet të jetë në shërbim të njerëzve. Sipas kreut të PS-së, për të qenë miq të denjë të Amerikës, duhet të kemi zgjedhje të pa rrezikuara, institucione dhe autoritete të pa kërcënuara dhe media të lira.
“Atyre që kapen pas pushtetit përmes korrupsionit dhe mashtrimit apo mbylljes së gojëve që kundërshtojnë, Amerika e rilindur gjashtë ditë më parë u bën të qartë se janë në krahun e gabuar të historisë. Korrupsioni nuk luftohet me retorikë antikorrupsion ashtu sikurse nuk mbulohet as me masa demagogjike antikomunizëm e as me masa autokratike antigazetarizëm”, tha Rama.
Leave a Comment