Tirana nis me ngadalë normalitetin pas festimeve të “lodhshme”

by admin on 05/01/09 at 8:42 pm

Kryeqytetasit kanë mbushur qendrën, ish-Bllokun, muzikë dhe festë për të rinjtë, fishekzjarrë për fëmijët

Kryeqyteti shqiptar ka nisur me ngadalë t‘i futet normalitetit pas ditëve të “gjata” të festimeve të Vitit të Ri. Pas netëve frenetike të 31 dhjetorit, duke u gdhirë 1 janari, por edhe mbrëmjen e ditës së parë të 2009-ës, Tirana i është futur rrjedhës së jetës me një ngadalësi, pasi thuajse të gjitha dyqanet, që nga furrat e bukës kanë qenë të mbyllura në tri ditët e para të vitit që sapo hyri. Tashmë është kthyer një traditë, pak më ndryshe nga shumë vende, ku Shqipëria “zgjohet” me vonesë pas një “dehjeje” të gjatë ditëve të festave.

Festimet

Ata që patën pjesë të “programit” daljen pas orës 00:00 natën e ndërrimit të viteve, frikën më të madhe kanë pasur fishekzjarrët. Në qendër, në periferi, në lagje, nga dritaret, nga makina, madje dhe brenda në shtëpi, janë hedhur, dëgjuar e parë gjithfarëlloj ngjyrash dhe “specie” lëndësh plasëse. Më të pasionuarit pas këtij “sporti” kanë qenë fëmijët, bashkë me prindërit. Më të frikësuarit ishin të rriturit. Natën e ndërrimit të viteve, por edhe më datë 1, fishekzjarrët e kanë mbushur qiellin, tokën, parvazet e dritareve me dritë dhe ngjyra. Për më shumë, më të lumturit kanë qenë fëmijët, por më të fituarit tregtarët e këtyre produkteve. Ndezëset më të bukura janë hedhur në qendër të kryeqytetit, ku festimet ishin edhe më të zjarrta.

Nata e ndërrimit të viteve, ashtu si në të gjithë botën, ka mbushur rrugët e kryeqytetit jo vetëm me njerëz, por me urime, me dhurata e përqafime. Nata e ndërrimit të viteve është gdhirë me festë, muzikë, këngë, kërcim dhe shumë pije.

Lokalet, baret, pubet, diskotekat, restorantet, klubet kanë qenë të tejmbushura njësoj si rrugët kryesore të Tiranës. Ofertat e tyre kanë qenë të shtrenjta, por përfshinin shumë pije brenda, prandaj shumica e klientëve janë kthyer në shtëpi jo vetëm me marrje mendsh, por me energji totalisht të konsumuara. Një natë e zhurmshme, e mbipopulluar dhe me shumë rrëmujë ishte ajo e Vitit të Ri. Të rinjtë, në mënyrë të veçantë kanë festuar deri në orët e para të mëngjesit, duke lënë më pas një qytet komplet të shkretë, duke zëvendësuar zhurmën me qetësinë dhe muzikën me qetësinë e shtratit. Shumë urime, “Gëzuar Vitin e Ri”, “Vit i mbarë”, “Shëndet dhe para”, “Harmoni dhe suksese”, “Për shumë vjet gëzuar”, kanë qenë më të përdorurat. Shumë urime janë thënë gojarisht, të tjera me emaile, me mesazhe telefonike, me thirrje dhe me vizita. Vitet e fundit pak më rrallë, por mbeten ende pjesë e traditës shqiptare vizitat e urimit. Data 1 ka nisur me vizita, me urime, duke festuar bashkë. Madje për shumë nga ata të cilët kanë festuar Vitin e Ri në punë ka qenë data 1 më festive se 31. Shumica e shërbimeve për qytetarët ka munguar në ditët e para të janarit, por datat 3 dhe 4 kanë qenë rikthimi në normalitet për një pjesë të mirë të të punësuarve. Administrata pritet të fillojë nga puna sot. Ndërkohë që për një pjesë të madhe të shkollave në Veri të vendit, ku ka pasur dhe reshje të shumta bore, do të shtyhet hapja e shkollave për disa ditë.

Deri në mbylljen e takimeve, vizitave do të shkëmbehen urimet për një vit të mbarë, për shkollë, punë, shëndet, harmoni dhe gëzime.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login