Shtypi kosovar – 14 janar
by Mimoza A on 14/01/09 at 2:24 pm
Mundësia e bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuar nga zyrtarët ndërkombëtarë, është tema kryesore që trajtohet në shtypin kosovar, të mërkurën.
Në lidhje me këtë çështje, e përditshmja “Express” shkruan se kjo temë është hapur edhe në takimin ndërmjet zyrtarëve të lartë vendorë dhe diplomatit amerikan Stuart Jones.
Duke u bazuar në burime jozyrtare, kjo gazetë shkruan se diplomati amerikan ka inkurajuar krerët e institucioneve të Kosovës që të jenë kooperativë në procesin e bisedimeve teknike ndërmjet dy kryeqyteteve.
Edhe e përditshmja “Koha Ditore”, shkruan se drejtues të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë (ICO) kanë ofruar mbështetjen e tyre për zhvillimin e këtyre bisedimeve. “Në këtë proces ICO-ja është e gatshme të asistojë”, citon gazeta, shefin e ICO-s, Pieter Faith.
Lidhur me këtë çështje, edhe e përditshmja “Zëri” citon deklarimet e Pieter Faith-it pas takimit që ai ka zhvilluar me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ali Babacan. “Të shohim se si do të ecin gjërat dhe nuk mendoj se duhet të spekulojmë në këtë moment”, ka thënë Faith, i pyetur se në çfarë mënyrë ICO-ja do të ishin të përfshira në këto bisedime.
Tema të tjera që zënë vend të rëndësishëm në gazetat kryesore që botohen në Prishtinë është edhe arrestimi nga policia i gjashtë personave në Mitrovicë dhe Vushtrri, të dyshuar për krim të organizuar, mundësinë e futjes së policisë në protesta për shkak të mosrritjes së pagave etj.
Leave a Comment