Shala kërkon ndihmën e të rinjve dhe grave

by on 11/01/09 at 1:35 am

Shala kërkon ndihmën e të rinjve dhe grave

Nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala, ka shpalosur të shtunën se me ndihmën e grave dhe të rinjve, AAK-ja synon të fitojë zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Për këtë ai ka thënë se AAK-ja do të ketë si model fushatën që bëri Barack Obama në SHBA.

“Nëse presidenti i SHBA-së, Barack Obama nuk do të ndihmohej nga gratë dhe të rinjtë për të fituar votat, ai nuk do të ishte në Shtëpinë e Bardhë, mirëpo me ndihmën e tyre ai arriti qëllimin. Andaj edhe ne kërkojmë një gjë të tillë ndihmën e grave dhe të rinjve që të fitojmë”, ka thënë Shala.

Në takimin e kryesisë së re të Aleancës së Gruas së Kosovës (AGK), Shala tha se politika nuk njeh moshë apo gjini. “Shumë gra në vende të ndryshme të botës janë bërë udhëheqëse të ndonjë sektori, biznesi, ministrie apo vendi dhe kanë qenë shumë të suksesshme, andaj një gjë të tillë mund ta bëni edhe ju”.

Megjithëse drejtuesit e institucioneve të Kosovës kanë thënë se sivjet do të zhvillohen vetëm zgjedhjet lokale, Shala, njëjtë sikurse dhe shefi i tij, Ramush Haradinaj, vazhdojnë të flasin sikur të ishte e sigurt se zgjedhjet do të mbahen, ashtu sikur e parasheh Plani i Ahtisaarit.

Publicisti Shala, i cili në dhjetor iu bashkua partisë që në zgjedhjet e fundit fitoi rreth 10 për qind të votave, tha se lajmi i keq për Kosovën është se në pushtet është Qeveria e Thaçit. “Ndërkaq lajmi i mirë, do të vijë atëherë kur AAK-ja me gjithë anëtarët që ka të punojë në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme dhe drejtimin e vendit”, u shpreh ai.

Më herët, edhe kryetari Haradinaj kritikoi qeverisjen aktuale se është duke i shkaktuar humbe vendit, duke filluar nga politika e jashtme, në fushën e sigurisë, politikën ekonomike e deri te humbja e cilësisë së demokracisë së krijuar që prej pasluftës.

“Zhvillimet në vend nuk janë të mira dhe se një konstatim i tillë është real. Për fat të keq nuk është vetëm konstatim i imi, por edhe shumë të tjerëve…Lidershipi aktual nuk është krijues dhe nuk ka plan të mirëfilltë për ta ndryshuar gjendjen dhe ky degradim po thellohet”, u shpreh ai.

Por, Haradinaj beson se këtë vit do të ketë zgjedhje në Kosovë dhe se kjo qeverisje do të ndryshohet me votë. “Jemi në vitin zgjedhor, Do të mbahen dy palë zgjedhje, ato parlamentare dhe komunale”, tha Haradinaj, duke kërkuar mobilizimin e të gjitha strukturave të partisë për të bërë përgatitjet e nevojshme.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login