Ronaldinjo, pro Milanit me 5 yje
by admin on 05/01/09 at 6:05 pm
Ylli brazilian: “Të luajmë të gjithë bashkë? Mund të bëhet, pse jo”
Ronaldinjo beson edhe më shumë. Ai shikon në të ardhmen një Milan të fortë në kampionatin italian të futbollit, që fiton një vend në Champions dhe që luan një Kupë UEFA të shkëlqyer. Braziliani është dakord edhe për hedhjen në fushë të një formacioni me pesë yje: ai, Pirlo, Sedorf, Kaka dhe i ardhuri së fundmi, Bekham. Sigurisht edhe një sulmues. “Aktivizimi i të gjithëve bashkë në fushën e lojës është një vendim që pret trajnerin Karlo Ançeloti, nënvizon braziliani në faqen zyrtare të kuqezinjve në internet, por besoj se mund të bëhet, madje pse mos të bëhet? Mjafton që të gjithë lojtarët të jenë të gatshëm të sakrifikojnë për të mirën e skuadrës: unë mund të përshtatem në çfarëdolloj situate apo pozicioni që do të më kërkohet të luaj nga trajneri: mesfushë, sulm, në të majtë apo në të djathtë, për mua nuk ka asnjë problem”. Ronaldinjo flet më pas edhe për disa nga synimet kuqezi për pjesën e mbetur të sezonit. Ai sqaron se cilat do të jenë objektivat e tij dhe të Milanit për 6-mujorin e parë të 2009-ës. “Objektivi ynë i parë është që të zhvillojmë një Kupë UEFA të mrekullueshme, pastaj të mbyllin sezonin në vendet e para në kampionat që të rikthehemi në Champions League vitin e ardhshëm. Dhe kjo përgatitje është e rëndësishme për pjesën e dytë të sezonit, edhe sepse kemi mundësinë për të rikuperuar të dëmtuarit, mungesa e të cilëve është ndjerë. Në rikthim na pret një ndeshje e vështirë kundër Romës, në një ambient ku ka shumë entuziazëm, por do të duhet ta nisim mirë 2009-ën. Nuk do të jetë e lehtë, por duke u përgatitur mirë dhe duke luajtur fort, ne mund të rikuperojmë nëntë pikët që na ndajnë nga Interi: i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë 2009-ën një vit të madh”. Roni mendon për atë që mund t‘i japë Milanit. “Po stërvitem mirë, thotë ai, ashtu si pjesa tjetër e shokëve. Tani nuk më mungon thuajse asgjë, ndoshta pak ritëm loje, por fizikisht ndihem perfekt. A mendoj për një tjetër ‘Top të Artë‘. Tani po mendoj vetëm për Milanin, për sukseset e skuadrës. Titujt individualë vijnë vetëm pasi pas shpatullave janë fitoret e grupit. Për momentin nuk mendoj se kur do ta përfundoj karrierën. Sigurisht që në këto çaste nuk e mendoj veten në asnjë skuadër tjetër, përveçse te Milani”.
Leave a Comment