Ronaldinjo dhe mënyra e tij: Ndaj Romës, vetëm spektakël
by Andi Bega on 11/01/09 at 2:50 pm
Flet kampioni brazilian. “Jemi skuadra e emrave të mëdhenj. Nëse secili sakrifikon pak, mund të ecim përpara”
Me flokë të bukura kaçurrela, një orë të artë në dorën e majtë dhe një byzylyk të artë në dorën e djathtë. Duket tamam si repist Ronaldo de Assis Moreira, Ronaldinjo, që 29 vjeç nuk i ka mbushur akoma: “Dëgjoj samba, hip hop, salsa, rok e shumë të tjera. Të gjitha ato që kanë shumë ritëm. Sigurisht edhe kërcej. Pas futbollit, muzika është pasioni i jetës time”. Shumë i adhuruar edhe nga tifozët, ai gjen kohë të flasë për sfidën Milan-Roma.
Si ju duken muajt e parë në Itali?
Jam adaptuar mirë, kam fatin të kem pranë familjen. Ndihem mirë dhe luaj në një futboll që më pëlqen.
Si ndiheni me Bekhamin? Në Dubai jeni stërvitur shumë bashkë.
Kemi shumë mesfushorë me karakteristika të ndryshme. Ai është i jashtëzakonshëm në kalibrimin e topit, e bën atë si pak të tjerë në botë, është i saktë, ka një përqindje të mirë të pasave të saktë dhe më duket se është një lojtar që punon shumë.
Por më i miri duket se është Mesi. Edhe më i mirë se Ronaldo.
Nuk e di në është më i miri në botë, por sigurisht është ai që më pëlqen më shumë mua. E kam parë të rritet te Barcelona. Ka një driblim të jashtëzakonshëm dhe di të bëjë lojë alegre, gjë që për mua është fondamentale.
Rastësisht mos keni nostalgji për Kombëtaren? Pas Pekinit keni hequr dorë nga grumbullimet.
Për mua ishte shumë e rëndësishme të bëja një punë të mirë te Milani, të adaptohesha me skuadrën, të përgatitesha mirë fizikisht. Megjithatë do të rikthehem shpejt.
Roma-Milan?
Është hera e parë që do të luaj në Olimpiko. Shumë brazilianë në fushë, një spektakël i madh.
Por Milan mund të luajë me të gjithë yjet e tij, nga Bekham te Ronaldinjo…
Unë mendoj se është e mundur. Te Milani janë disa nga lojtarët më të mirë në botë. Për të luajtur të gjithë së bashku, mjafton që secili të sakrifikojë pak më shumë se zakonisht.
Jeni -9 pikë nga Interi, a është i mundur titulli?
Interi ka lojtarë të mëdhenj dhe një trajner të mirë. Mund të luajmë akoma për titull: është i vështirë, por jo i pamundur.
Nga ana sportive, çfarë ju mungon?
Këtë vit, Champions League. Por duhet të presim një vit.
Mendoni se mund ta rifitoni “Topin e Artë”?
Pse jo, ia uroj vetes, por përpara duhet të ndihmoj Milanin të fitojë.
Leave a Comment