Rikthimi i reshjeve mban mbyllur shkollat e fshatrave të thellë
by admin on 09/01/09 at 8:53 pm
Probleme edhe në zona për të cilat nuk ishte parashikuar ndërprerja e mësimit
Sipas urdhrit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, dje duhet të niste mësimi në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar në zonat veriore ku u vendos të bëhej një pushim treditor i, për arsye të kushteve të vështira të krijuar nga moti me reshje dëbore dhe temperature të ulëta. Por sipas informacioneve të marra nga komunat e qarqeve Dibër, Kukës dhe Shkodër, jo në të gjitha shkollat 9 vjeçare dhe të mesme ka nisur mësimi. Kështu edhe në ditën e djeshme, një numër i konsiderueshëm shkollash në zona të thella malore të Dibrës e kanë pasur të vështirë nisjen e mësimit. Sipas këtyre burimeve, mësohet se mësimi ka pasur vështirësi të nisë në shkollat e komunave Macukull, Xibër, Derjan, Gurrë e Vogël, në rrethin e Matit, Ostren, Martanesh, Zerqan në rrethin e Bulqizës dhe Lurë, Kala e Dodës, Selishte, Sllovë etj, në rrethin e Dibrës. Kjo për faktin se fshatrat e thellë malorë në këto komuna nuk lidhen as me rrugë këmbësore me qendrat e komunave dhe me njëri tjetrin për të mundësuar vijimin e mësimit nga fëmijët. Veç bllokimit të rrugëve, një tjetër vështirësi në rifillimin e mësimit në shkolla mbeten edhe kushtet e këqija në mjaft shkolla, ku mungojnë drutë e zjarrit për ngrohje, sobat, xhamat, dyert, dritaret, çatitë të amortizuara që pikojnë ujë etj.
Mësimi nuk ka nisur dje as në shkollat e nëntë komunave të thella të Kukësit, ku dje ka pasur përsëri reshje dëbore që e kanë bërë situatën edhe më të rëndë se në ditët e para të javës, kur Ministria e Arsimit dhe Shkencës vendosi shtyrjen e hapjes së shkollave. Në Qarkun e Shkodrës kanë qëndruar të mbyllura shkollat e pesë komunave të rrethit të Pukës, dy komunave të Malësisë së Madhe dhe dy komunave në rrethin e Shkodrës. Ndërkohë, për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, dje ka pasur ndërprerje të procesit mësimor edhe në disa shkolla fshatrash në rrethet Elbasan, Librazhd dhe Korçë, për shkak të reshjeve të dendura të dëborës që kanë rënë gjatë natës dhe orëve të paradites.
Leave a Comment