PRISHTINË – FORCA E SIGURISË SË KOSOVËS AKTIVIZOHET MË 21 JANAR
by DashiC on 19/01/09 at 3:12 pm
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) aktivizohet këtë javë, më 21 janar kur deaktivizohen Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), që lindën nga transformimi i UÇK-së dhe luajtën një rol të rëndësishëm në nëntë vitet e pasluftës.
Forca e re, e ngritur sipas kritereve dhe standardeve të NATO-s, në të cilën do të përfshihen më shumë se 1 000 pjesëtarë të TMK-së, do të jetë e përbërë nga 2 500 pjesëtarë aktivë e 800 rezervë.
Për rekrutimet plotësuese për FSK-në, me përbërje shumetnike, do të hapet konkursi për të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës.
Ministria e FSK-së pret që rreth 10 për qind e pjesëtarëve të forcës së re të jenë nga komunitetet pakicë.
Kjo ministri ka paralajmëruar edhe se një nga zëvendësministrat e FSK-së do jetë nga komuniteti pakicë serb.
FSK do të vendoset në shtatë kazerma, Prishtinë, Ferizaj, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Gjilan dhe Pomozitin. Këto kazerma ku vendoset forca e re dhe objektet e tjera që ishin të TMK-së kalojnë në menaxhim të qeverisë së Kosovës në një proces të nisur në janar e të përfunduar sot.
Gjatë ditës së sotme zhvillohet edhe një ceremoni e përmbylljes së misionit të TMK-së, para deaktivizimit në përfundim të ditës së nesërme.
Leave a Comment