PRESIDENTI TË DEKRETOJË SA MË SHPEJT LIGJIN E “DOSJEVE” DHE TË INSISTOJË PËR ZBATIMIN E TIJ

by on 11/01/09 at 2:03 pm

PRESIDENTI TË DEKRETOJË SA MË SHPEJT LIGJIN E “DOSJEVE” DHE TË INSISTOJË PËR ZBATIMIN E TIJ

Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia, shprehu të dielën besimin e plotë se Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do ta dekretojë ligjin e “dosjeve”, si dhe do të insistojë që ky ligj të gjejë zbatim. Në një prononcim, Spahia e konsideroi miratimin e ligjit “Për pastërtinë e figurave”, si një nga arritjet më të mëdha të Kuvendit të Shqipërisë. “Pas 18 vjetëve kalon ky ligj që është fillimi i plotësimit të kuadrit ligjor për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri. PLL e ka përshëndetur këtë ligj, por ka patur edhe rezervat e saj, sepse, sipas nesh, ligji duhet të ishte edhe më i ashpër në goditjen e atyre personave që kanë qenë ideatorë të genocidit të ushtruar ndaj popullit shqiptar”, u shpreh zoti Spahia. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se “pjesën dërrmuese të anëtarësisë dhe simpatizantëve të saj, PLL e ka nga shtresa e ish- të burgosurve dhe përndjekurve politikë nga sistemi komunist, pra prej asaj pjese të shoqërisë shqiptare që ka provuar më shumë se askush tjetër krimet e sistemit më gjakatar në Europën Lindore”. Sipas Kreut të PLLsë, “maxhoranca aktuale ka treguar vullnetin e plotë për t’u distancuar nga e kaluara komuniste dhe e ka materializuar këtë vullnet me miratimin e ligjit, por zbatimi i këtij ligji kërkon edhe një vullnet tjetër që ti shkohet deri në fund”. “Me dënimin e krimeve të komunizimit nuk nënkuptohet vetëm ky ligj, por janë edhe ligje të tjera dhe vendime të qeverisë që do të bëjnë që të shkëputemi përfundimisht nga e kaluara komuniste. PLL është gjithashtu e kënaqur që janë marrë parasysh të gjitha propozimet e saj, si për ngritjen e Institutit për Dënimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunzimit, ashtu edhe në drejtim të shpalljes së 20 shkurtit si dita në kujtim të viktimave, apo vendimit për ngritjen e obeliskut në përkujtim të viktimave të këtij sistemi”, u shpreh zoti Spahia. Në të njëjtën kohë, kreu i PLL-së kërkoi që të merren të gjitha masat për rehabilitimin e plotë të ish- të përndjekurve politikë në shoqërinë shqiptare, pasi, sipas tij, “nuk mund të pretendojmë që Shqipëria të integrohet në strukturat euroatlantike, pa u integruar kjo shtresë e shoqërisë”. “PLL kërkon që të rritet vëmendja e qeverisë shqiptare për dëmshpërblimin e ish- të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, sa më shpejt që të jetë e mundur. Ata duhet të marrin atë që i takon, sepse është një e drejtë e plotë e tyre për vitet e papaguara të punës gjatë atij sistemi”, tha në përfundim zoti Spahia.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login