Policëve, 300 lekë ora për aksionet e OSSH-së

by on 10/01/09 at 3:38 pm

Marrëveshje mes Policisë së Shtetit dhe Operatorit të Shpërndarjes për të rritur arkëtimet

Ruajtësit e rendit publik do t‘i vihen në ndihmë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes-OSSH gjatë kohës së kryerjes së aksioneve për lidhjet e paligjshme. Synimi është rritja e arkëtimeve dhe lidhja e kontratave me konsumatorët që nuk paguajnë dritat, kryesisht në zonat informale. Për të arritur qëllimin, OSSH-ja ka nënshkruar një marrëveshje me kreun e Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, i cili zotohet se do të ndihmojë Operatorin e Shpërndarjes gjatë aksioneve për lidhjet e paligjshme elektrike. Nga ana tjetër, OSSH do të paguajë me 300 lekë ora çdo punonjës policie që merr pjesë në ndihmën e dhënë gjatë aksionit, i cili do të lajmërohet të paktën 1 muaj përpara. Marrëveshja e bashkëpunimit është firmosur dje në prani të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, si dhe zv/ministrit të Brendshëm, Gent Strazimiri.

Pakti

Sipas marrëveshjes së firmosur, Policia e Shtetit merr përsipër të mbështesë OSSH-në në kryerjen e disa prej detyrave të saj ligjore, si arkëtimin e të ardhurave, apo ndërprerjen e energjisë elektrike për abuzuesit dhe debitorët. Ministri Ruli tha se marrëveshja është në funksion të realizimit të objektivit të qeverisë për furnizimin sa më të mirë të popullatës me energji elektrike. Duke iu referuar ndryshimit të Kodit Penal, të miratuar së fundmi nga Parlamenti, Ruli theksoi se çdo ndërhyrje në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike tashmë është një vepër penale, konsumimi i së cilës tani parashikon burgun dhe jo vetëm gjobën. Ministri Ruli saktësoi se marrëveshja do të jetë plotësisht e vlefshme edhe pasi OSSH-ja t‘i dorëzohet kompanisë çeke, që fitoi tenderin e privatizimit. “Ndryshimi i pronësisë nuk ka të bëjë me ndryshimin e performancës dhe të rolit të këtij sektori të rëndësishëm”, tha ministri Ruli. Sipas marrëveshjes, drejtoria e Policisë së Shtetit kryen një funksion vetëm mbështetës ndaj OSSH-së në realizimin e detyrave të tij, qoftë në raste të ndërhyrjeve për të shmangur lidhjet e paligjshme, vjedhjet e energjisë elektrike, apo mospagimin kronik të faturave të energjisë elektrike.

Policia

Neni 1 i marrëveshjes thotë se, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nëpërmjet drejtorive të policisë në qarqe dhe komisariateve të policisë në rrethe, merr përsipër të vendosë në dispozicion punonjësit e policisë që do të kryejnë detyra në mbështetje të punonjësve të OSSH-së. Komisariatet e policisë në rrethe, mbi bazën e projekt-planit mujor të paraqitur nga drejtoritë e zonave të OSSH-së, hartojnë planin e përbashkët të operacioneve mbështetëse dhe në bazë të saj organizojnë mbledhjen e informacioneve për objektet përkatëse. Detyra e policisë do të jetë shoqërimi dhe mbrojtja e punonjësve të OSSH-së ndaj rasteve të dhunshme që mund të vijë nga konsumatorët e energjisë elektrike.

OSSH

Nenet 5-8 saktësojnë detyrimin e OSSH-së ndaj zbatimit të marrëveshjes së firmosur dje me Policinë e Shtetit. Kështu, OSSH-ja, në çdo fillim muaji paraqet pranë Komisariatit të Policisë planin e veprimeve që do të kryejë, ndërsa filialet e saj, 24 orë përpara kryerjes së aksionit, paraqesin kërkesën me shkrim në komisariatet e policisë, në juridiksionin e të cilit ndodhet zona e veprimit.

Plani

Pagesa për policët,

më 7 të çdo muaji

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes sh.a., nëpërmjet strukturave të varësisë, merr përsipër t‘i paguajë komisariatit të policisë, ku janë efektivë punonjësit e policisë që kryejnë detyra mbështetëse në dispozicion të filialit, tarifën për pagesën e mbi kohës normale të punës në vlerën 300 lekë për një orë shërbim (përfshirë TVSH) për një punonjës policie. Strukturat e varësisë së OSSH-së mbi bazën e akt-rakordimit të mbajtur me strukturën përkatëse policore brenda datës 7 të muajit pasardhës transferojnë në llogarinë e thesarit të drejtorisë së policisë së qarkut, ose komisariatit të policisë detyrimin e përcaktuar në akt-rakordim.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login