Opozita: Kartat të jepen edhe falas
by admin on 09/01/09 at 9:34 pm
PS e LSI i kërkojnë qeverisë të subvencionojë disa shtresa të caktuara
Opozita i kërkon qeverisë shpërndaje falas të kartave të identitetit për disa shtresa të caktuara popullsie. Në komunikimet e djeshme mediatike funksionarët e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ishin në një zë për këtë çështje. Sekretari për çështjet zgjedhore në selinë rozë, Kastriot Islami, tha se në rast se do pranohet një variant i tillë, shtohen mundësitë për pajisje maksimale të shtetasve me këtë dokument dhe arrihet standardi i kërkuar nga ndërkombëtarët për mënyrën e votimit. Kategoria e parë që duhet të pajiset me karta sipas Islamit duhet të jenë shtetasit mbi moshën 18 vjeç, që votojnë për herë të parë. Drejtuesi socialist konstatoi me shqetësim se po vihet re mungesë transparence nga ana e qeverisë për procesin sesi do të prodhohen kartat e identitetit. “Një kalendar i detajuar duhet të hartohet për të arritur afatet për pajisjen e qytetarëve përpara zgjedhjeve parlamentare”, u shpreh Islami. Gjithsesi, ai beson se me një organizim në mënyrë të veçantë nga ana e qeverisë, ka hapësirë që të kapet vonesa dhe të garantohen zgjedhje të lira e të ndershme konform standardeve ndërkombëtare. “Natyrisht që duhet pritur përfundimisht hyrja në fuqi e kodit dhe dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti dhe në këtë moment Parlamenti do të zhvillojë të gjitha përgjegjësitë e tij për të realizuar atë çka përcakton kodi”, theksoi Islami. Duke iu referuar procedurës së zgjedhjes së KQZ-së, Islami konfirmoi se do të zbatohet jo vetëm teknikisht, por edhe politikisht, në mënyrë që të ketë një konsensus sa më të gjerë jo vetëm midis forcave parlamentare, por të gjitha forcave, në mënyrë të veçantë atyre të majta. “Unë besoj se LSI është forcë e majtë dhe nuk bëra stigmatizim për ndonjë forcë të veçantë”, tha Islami teksa u pyet posaçërisht për LSI-në. Sakaq, Lëvizja Socialiste për Integrim vlerësoi se për arsye të varfërisë se skajshme, varfëri e cila është thelluar në mënyrë të frikshme në vitet e qeverisjes së Berishës për mjaft qytetarë shqiptarë, pajisja me karta do të jetë e pamundur. “Për të kapërcyer këtë problem shumë të rëndësishëm në momentin dhe në kohën e duhur, i kërkojmë qeverisë që në mënyrë të menjëhershme të marri masa dhe të pajisë pa pagesë disa kategori”, u shpreh Petrit Vasili. LSI mendon që këto kategori të jenë; pensionistët në fshat dhe qytet, studentët dhe nxënësit, personat që marrin pagese papunësie, të papunët, personat anëtarë të familjeve që marrin ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre dhe personat me pagë minimale në sektorin publik dhe privat. Qeveria, insistoi Vasili, duhet të zgjidhë në mënyrë të menjëhershme këtë problem për këtë kategori qytetarësh, sepse përndryshe rrezikohet qe rreth 1 milion qytetarë të mos marrin pjesë, pra, të përjashtohen nga procesi i votimit. “Ky investim i qeverisë në këtë moment, është i domosdoshëm për të sotmen dhe të nesërmen, sepse sot ai do të garantonte standardet e zgjedhjeve, duke u mundësuar të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në to dhe është shumë i rëndësishëm për të nesërmen, ku në një Shqipëri normale, qytetarët që punojnë dhe paguajnë taksat do të garantonin të ardhurat mjaft të larta”, tha Vasili.
Leave a Comment