Obama përgatitet për dialog me Iranin

by Mimoza A on 13/01/09 at 12:00 pm


Barack Obama premton se do të veprojë shpejt për të adaptuar një qasje të re ndaj Teheranit.

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Barack Obama tha se kur ta marrë pushtetin do të veprojë shpejt për t’u ballafaquar me Iranin, duke u zotuar se do të ndërmarrë qasje të re të fokusuar në dialog, por e paralajmëroi Iranin se ekzistojnë limitet të cilat s’mund t’i kalojë.
Duke folur pak ditë para se ta marrë postin, Obama tha se Irani do të jetë një nga sfidat më të mëdha, me të cilën do të përballet administrata e tij. Ai tha se, “eksportimi nga Irani i terrorizmit përmes Hamasit dhe Hezbollahut” dhe aktivitetet e tij për armë atomike, mund të nxisin një garë për armë nukleare në Lindjen e Mesme.
Një nga vendimet e para të Obamës dhe ekipit të tij për politikë të jashtme, që udhëhiqet nga Hillary Clinton, do të jetë të vendosin nëse duhet të vazhdohet programi i mbuluar i operacioneve në Iran, që kishte filluar vitin e kaluar nga administrata Bush. Misioni është disenjuar që të bllokojë çdo përpjekje të Iranit për të ndërtuar armë nukleare, duke ia prerë zinxhirët e furnizimeve me pjesët esenciale nga jashtë dhe duke përdorur teknika eksperimentale për të prishur kompjuterët dhe sistemet elektrike. Detaje të këtyre operacioneve ishin zbuluar nga New York Times në fund të javës së kaluar.
Gazta njoftoi se Obamës do t’i duhet që të llogarisë vlerat e programit si një vijë e mbrojtjes kundër ndonjë bombe të mundshme iraniane, ndërsa e konsideron dëmin që mund të shkaktohet nga përpjekjet për t’u angazhuar diplomatikisht me Teheranin.
Premtimi i Obamës se ai dhe administrata e tij do të angazhohen për qasje më shumë diplomatike ndaj Iranit, ka gjetur përkrahje në mesin e diplomatëve evropianë, të cilët besojnë se politika perëndimore për Iranin, gjatë gjashtë viteve të fundit, ka dështuar, dhe zgjedhja e Obamës për president ka hapur derën për një drejtim të ri. Politika ekzistuese e shkopit dhe e karotës, në formën e sanksioneve financiare nga OKB-ja dhe BE-ja dhe e premtimeve për ta ndihmuar në ndërtimin e një industrie nukleare, deri tani nuk e kanë ndaluar Teheranin nga zgjerimi i programit të tij për pasurimin e uraniumit.
“Tani duhet që të sajojmë diçka të re, pasi po vjen Obama,” tha një diplomat i lartë evropian. Ai shtoi se “tabuja” amerikane për bisedimet direkte me Iranin duhet të thyhet, në mënyrë që të ketë ndonjë mundësi për ta ndaluar ndërtimin e bombës nukleare nga Irani, gjë të cilën, vlerësoi ai, Irani do ta arrijë brenda më pak se dy viteve.
Obama pritet që të bëjë një veprim efektiv, të tillë si kthimi i diplomatëve amerikanë në Teheran, për herë të parë nga kriza e viteve 1979-1981. Diplomatët evropianë kanë thënë se nuk janë të sigurt nëse administrata Obama do ta hapë menjëherë sektorin e interesave të SHBA-së në Teheran, apo do të presë deri pas zgjedhjeve presidenciale të Iranit, që do të mbahen në qershor, nga frika se do të ndihmohet fushata për rizgjedhjen e Mahmoud Ahmadinejadit.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login