Nuk lëviz Prokuroria
by Mimoza A on 13/01/09 at 9:45 am
Familja e dëshmorit Rexhep Bislimi, nëpërmjet avokatit Hajrush Nuhiu, më 18. 01. 2005 ka ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë e Qarkut në Gjilan. Kallëzimi penal është bërë kundër atyre që kanë marrë pjesë në vrasjen mizore të Rexhep Bislimit në korrik të vitit 1998, ndërsa gjendej në burg. Në këtë kallëzim penal, si të akuzuar janë: Bozhidar Trajkoviq nga Tërpeza e Vitisë, ish-shef i Shërbimit Regjional të Sigurimit Shtetëror të Serbisë në Gjilan, Bozhidar Gariq, nga Ferizaj, shef i Sigurimit Shtetëror të Serbisë për Ferizaj, Fatmir Dërmaku, ish-punëtor i Sigurimit Shtetëror të Serbisë në Gjilan, Nebojsha Gjorgjeviq, nga Neredimja e Ferizajt, ish-punëtor i Sigurimit Shtetëror të Serbisë në Ferizaj dhe Rajko Doder, nga Ferizaj, ish-punëtor i Sigurimit Shtetëror të Serbisë në Ferizaj.
Vetëm pak muaj më vonë, në vitin 2005, avokati Hajrush Nuhiu, në emër të familjes së Cen Dugolli, ka bërë një kallëzim penal në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë. Edhe në këtë kallëzim janë përfshirë disa nga ish-punëtorët e sigurimit serb në Ferizaj, ndërsa kallëzimit penal i janë shtuar edhe disa emra si ai i Boban Kërstiqit, vrasësit të vogëlushit Fidan Brestovci, Danica Marinkoviqit, ish-gjykatëse në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dhe Lubomir Qumburoviqit, ish-drejtor i burgut në Prishtinë.
Që të dy këta dëshmorë të kombit, pasi janë arrestuar nga policia serbe, nga torturat që kanë përjetuar në burgun e Prishtinës dhe të Gjilanit, kanë ndërruar jetë në spitalin e Prishtinës, ku në fakt ishin dërguar nga policia vetëm sa për të konfirmuar vdekjet e tyre. Që të dy këta nga dhuna ranë dëshmorë në vitin 1998. Kallëzimeve penale, avokati Hajrush Nuhiu ua ka bashkangjitur edhe fotot e bëra të trupave të masakruar në mënyrën më çnjerëzore të këtyre dy veprimtarëve të njohur nga Ferizaj.
Avokati Hajrush Nuhiu nuk e ka të qartë se përse nuk veprojnë dy prokuroritë, ajo në Prishtinë dhe në Gjilan. Ai thotë se nga të akuzuarit ka informacione të sigurta se Fatmir Dërmaku jeton në Gjilan, ndërsa ka dyshime se edhe të akuzuarit e tjerë lëvizin shpesh nëpër Kosovë, ose edhe jetojnë nëpër enklavat serbe. Pra, as pas katër vitesh Prokuroria e Prishtinës dhe e Gjilanit nuk ka lëvizur, ndërsa Prokuroria Publike e Kosovës sikur e ka harruar fare këtë rast.
Leave a Comment