“Ngrin” Shqipëria, bora bllokon rrugë e shkolla

by admin on 05/01/09 at 8:46 pm

Përkeqësohet moti. Kërkohet ndërhyrja e ushtrisë

E gjithë zona verilindore e vendit është përfshirë nga stuhitë e dëborës dhe temperatura të ulëta. Që prej tri ditësh në qytetin e Kukësit dhe në të gjitha akset rrugore lëvizjet e mjeteve janë tepër të rralla. Në rrugë shihet vetëm ndonjë fuoristradë si dhe ndonjë fadromë borëpastruese që mundohet të pastrojë rrugën. Aksi kombëtar i rrugës Kukës-Tiranë është bërë tepër i vështirë edhe për mjetet e pajisura me zinxhirë dëbore.

Kukës-Qafë Mali

Drejtori rajonal i rrugëve në Kukës, Rushit Gashi, pohoi dje se në gjithë gjatësinë e segmentit nga Kukësi deri në Qafë të Malit edhe mjetet me zinxhirë e kanë të vështirë të kalojnë, ndërsa makinat e tonazhit të rëndë e kanë pothuajse të pamundur të udhëtojnë për shkak të akullit dhe pamundësisë për t‘u ndërruar në rrugën e ngushtë. Trashësia e dëborës në Qafë Shllak dhe Qafë Mali arrin në 1.3 metra, ndërsa në Shëmri të shtunën gjithë ditën deri në orët e mëngjesit të së dielës ka pasur bllokim të aksit për shkak të vështirësisë së mjeteve për t‘u ndërruar. Një autobus i mbetur në akull ka bllokuar për shumë orë lëvizjen, ndërsa bllokime të njëpasnjëshme ndodhin edhe në segmente të tjera. Burime të policisë tregojnë se autobusi i mbetur në Shëmri është kthyer mbrapsht për Kukës, duke bërë kështu edhe 30 kilometra të vështirë në kthim, por duke shpëtuar nga të ftohtit e natës pasagjerët e frikësuar, mes të cilëve kishte edhe gra dhe fëmijë. Natën e së shtunës, në këtë aks ka pasur disa ortekë, por nuk njoftohen bllokime të mjeteve me pasagjerë, pasi edhe lëvizjet kanë qenë shumë të rralla. Të dielën në mëngjes janë nisur nga Kukësi një karvan prej pesë autobusësh me pasagjerë, 20 furgonë dhe disa mjete të tjera. Në Kalimash ka pasur një spostim nga rruga të një prej autobusëve, por me ndihmën e fadromave që i kanë shoqëruar, autobusi është rivënë në rrugë pa pasoja.

Bajram Curri-Qafë Mali

Gjithashtu natën e djeshme kanë mbetur të bllokuar 16 pasagjerë në segmentin Bajram Curri – Qafë Mali, në vendin e quajtur Përroi i Plepit, për shkak të ortekëve në rrugë, por nuk ka pasur pasoja në shëndetin e tyre. Për shpëtimin e tyre kanë ndihmuar efektivët e policisë, të cilëve u është dashur të ecin më këmbë disa orë. Ky aks është bërë sërish i kalueshëm në mëngjesin e së dielës, kur dhjetëra furgonë rinisën udhëtimin drejt Tiranës. Në qytetin e Bajram Currit dhe në komunat e rrethit, sistemi i rrugëve vazhdon të mbetet një problem. Trashësia e dëborës në qytet arrin në 35 cm, ndërsa në Komunën e Tropojës së Vjetër në 1 metër e në Valbonë deri në 1.5 metra. Dëbora vazhdon të bjerë pareshtur, çka vështirëson edhe më tej situatën dhe qarkullimin rrugor në akset nacionale dhe rurale. Në Tropojë, të gjitha rrugët e komunave raportohen të pakalueshme, ndërsa rruga Bajram Curri- Qafë Morinë është e kalueshme vetëm me zinxhirë.

Kukës-Morin, Kukës-Krumë dhe Kukës-Shishtavec

Gjithashtu segmenti Kukës-Morin mbetet i vështirë për t‘u përshkuar. Deri në mesditën e së dielës, shumë pak automjete kanë lëvizur nga Morini në Kukës po edhe anasjelltas, pasi në vende të ndryshme stuhia ka grumbulluar dëborën në pirgje deri në 2.5 metra të lartë. Mësohet gjithashtu se akset Kukës-Krumë dhe Krumë-Qafë Prushi janë të përshkueshëm vetëm me zinxhirë dhe me shumë vështirësi. Madje që nga orët e para të mëngjesit të së dielës e deri në mesditë, 16 furgonë me pasagjerë të linjës Krumë-Kukës kanë mbetur të bllokuar nga dëbora. Ndërsa Kukës-Shishtavec dhe gati të gjitha rrugët e komunave të thella në Kukës mbeten aktualisht të bllokuara. Në linjën Kukës-Shishtavec dje janë nisur tre furgonë me pasagjerë, por kanë mbetur në rrugë në afërsi të Topojanit, 15 km para se të mbërrinin në qendrën e Shishtavecit dhe pasagjerët e kanë bërë rrugën më këmbë.

Emergjenca

Nëntë komuna të Kukësit,

të izoluara nga bora

Në qytetin e Kukësit aktualisht trashësia e dëborës është rreth 40 cm, ndërsa në zonat mbi 800 metra mbi nivelin e detit trashësia e dëborës arrin mbi 1 metër. Nga 14 komunat e Rrethit të Kukësit, 9 prej tyre janë të bllokuara nga dëbora që vazhdon pa ndërprerje që prej tri ditësh. Në disa prej tyre, si në Arrën, Grykë Cajë, Kalis, Zapod, trashësia e dëborës i kalon 1.5 metra. Nga drejtoria rajonale e ndërmarrjes së mirëmbajtjes së rrugëve mësohet se po punojnë pa ndërprerje 3 borëpastruese dhe një kamion për hedhjen e kripës. Po ashtu, në aksin rrugor Kukës-Domaj po punon një borëpastruese. Aksi rrugor nacional Kukës-Peshkopi mbetet i bllokuar bashkë me një numër fshatrash që ndodhen në këtë aks.

Në prefekturën e Kukësit është mbledhur shtabi i emergjencës, i cili po mban kontakte në të gjitha zonat e bllokuara dhe po ndjek hap pas hapi situatën. Furnizimi me energji ka vazhduar gjatë 24 orëve, me përjashtim të disa komunave si Arrën në Kukës, Fajza në Has etj., si dhe ndërprerje të përkohshme për shkaqe defektesh ka pasur edhe në qytetin e Kukësit. Burime të prefekturës thonë se në Fajza dhe Arrën që prej tre ditësh janë pa drita për shkak të defekteve në linjat e dyta dhe po punohet për riparimin e tyre.

Spekulimi

Rritet me 250 për qind çmimi i biletave

Shoferët e furgonëve kanë shfrytëzuar rastin të rrisin çmimet e biletave. Dje në mëngjes një biletë furgoni kushtonte 2500 lekë, 250% të çmimit që ka pasur më herët. Edhe në vitet e shkuara furgonët kanë aplikuar çmime të kripura, duke e justifikuar këtë me vështirësitë e rrugës, karburantin etj. Kjo situatë mendohet se mund të vazhdojë për shumë ditë, pasi meteorologët kanë paralajmëruar se temperaturat do të zbresin edhe më shumë, deri minus 15 gradë Celsius, nga -8 gradë Celsius që vazhdon aktualisht.

Rrugët kombëtare kalohen vetëm me zinxhirë. Bora shkakton edhe aksidentet e para

Bllokohen rrugët e pesë

komunave malore të Korçës

Reshjet e dendura të dëborës kanë bllokuar pesë komuna në juglindje të vendit. Me një trashësi që ka kaluar më shumë se 80 centimetra, dëbora ka izoluar qindra familje në zonat e thella malore. Siç është raportuar nga shtabi i emergjencave civile, nga reshjet e fundit të dëborës janë bllokuar tërësisht fshatrat e komunave Voskopojë, Lekas, Moglicë, Dardhë, Vithkuq dhe një pjesë e Komunës së Liqenasit. Trashësia e dëborës në këto zona ka qenë e madhe, ndërsa reshjet kanë qenë të vazhdueshme. Edhe pse temperaturat kanë qenë më të larta krahasuar me disa ditë më parë, reshjet e shumta të dëborës kanë krijuar vështirësi të mëdha për qarkullimin rrugor në të gjitha akset nacionale që lidhin Korçën me pjesën tjetër të vendit. Sipas të dhënave nga drejtoria e rrugëve, gjatë dy ditëve të fundit mjete të shumta borëpastruese janë vendosur në akset nacionale për të mbajtur të hapura rrugët. Të gjitha akset nacionale kanë qenë problematike për lëvizjen e mjeteve. Në Qafë-Thanë radhët e mjeteve kanë arritur në disa kilometra gjatë mbrëmjes për shkak të bllokimit të herëpashershëm nga dëbora. Drejtori i rrugëve nacionale, Kreshnik Zgjani, ka bërë të ditur se në Qafën e Thanës dëbora ka arritur trashësinë 40 cm dhe është bërë disa herë ndërhyrja me mjete dhe me kriposjen e rrugës. Ai deklaron se akset më problematike kanë qenë Korçë-Pogradec-Qafë Thanë, Korçë-Kolonjë, Korçë-Kapshticë, për shkak të segmenteve me trashësi të madhe dëbore dhe me vështirësi të mëdha për lëvizjen e mjeteve. Të gjitha akset nacionale kanë qenë të kalueshme me zinxhirë. Ndërkohë, më shumë mjetet janë përqendruar në segmentet me probleme, si në Grykën e Cangonjit, segmentin Sovjan-Grabovicë, dhe në qafat e Qarrit dhe të Plloçës. Dëbora e madhe e 24 orëve të fundit ka bërë që edhe në qytet mjetet të lëvizin vetëm me zinxhirë. Nga ana e shtabit të emergjencave civile është bërë e ditur se në disa zona ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Për shkak të defekteve në linja, zona e Sheqerasit, Erseka dhe Moglica kanë përjetuar errësirën e plotë për më shumë se 6 orë, ndërkohë që brigadat e ndërhyrjes kanë punuar për të riparuar defektet që janë shkaktuar si pasojë e motit të keq. Nga ngricat dhe reshjet e dëborës nuk kanë munguar as rastet e aksidenteve dhe rrëshqitjes së mjeteve me dëme materiale. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit ka pasur shtatë raste të daljes së mjeteve nga rruga, por fatmirësisht pa të dëmtuar. Gjithashtu, pavarësisht bllokimit nga dëbora të disa komunave, nuk ka pasur raste të emergjencave shëndetësore.

Mbyllen për tri ditë shkollat e Veriut

Mbyllen shkollat në veri të vendit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nxjerrë dje një urdhër për ndërprerjen për tri ditë të mësimit në disa zona të vendit, ku sot është e pamundur të zhvillohet një proces normal mësimor. Zyra e shtypit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nxori dje një komunikatë për mediat, duke njoftuar kështu vendimin për ndërprerjen e mësimit në disa shkolla të zonave të thella malore në veri.

Për shkak të motit të keq të ditëve të fundit, sidomos në zonat malore të vendit, sipas informacioneve paraprake që kanë ardhur nga drejtoritë arsimore rajonale në rrethe dhe zyrat arsimore, shtabi i ngritur në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, nën drejtimin e ministrit Fatos Beja, njofton:

Në Qarkun e Dibrës, ku bëjnë pjesë rrethet Dibër, Bulqizë dhe Mat, si dhe në rrethet Mirditë e Librazhd, do të pezullohet mësimi për tri ditë në të gjitha shkollat, për shkak të motit të keq dhe terrenit të vështirë të këtyre zonave.

Në Qarkun e Kukësit mësimi do të pezullohet vetëm në shkollat pranë komunave, ndërsa do të vazhdojë mësimi në shkollat pranë bashkive të Kukësit, Bajram Currit dhe Krumës.

Në Rrethin e Pukës, mësimi do të zhvillohet vetëm në qytetet Pukë dhe Fushë-Arrëz, në të gjitha komunat e këtij rrethi do të ndërpritet mësimi për tri ditë.

MASH njofton se koha e humbur e mësimit do të kompensohet në ditët e shtuna. Kjo masë mbështetet në dispozitat normative për shkollat publike në nenin 25.

Ndërkohë, problem mbetet frekuentimi i shkollave të larta nga studentët e rretheve të veriut, të cilët kanë qenë në shtëpi për festat e fundvitit. Udhëtimi nga Kukësi drejt Tiranës për studentët e universiteteve është bërë pothuajse i pamundur. Edhe pse të dielën janë nisur për Tiranë dhe Shkodër pesë autobusë dhe një numër furgonësh, përsëri qindra studentë presin për t‘u nisur për të qenë në mësim. Studentët që nuk kanë mundur të udhëtojnë të dielën i kërkojnë ministrisë të shtyjë afatin e fillimit të mësimit për ta për dy-tri ditë.

REPORTAZH/ Një ditë mbi rrugët e ngrira, ku njerëzit mund të ecin vetëm në këmbë

Në malet e Dukagjinit, ku

izolimi i borës ia kalon burgut

ARDI HOTI

Një nga zonat me popullsinë më të madhe në veri të Shqipërisë që ndodhet e izoluar nga dëbora, është zona e Dukagjinit. Prej tri ditësh, dy komuna të kësaj zone, Shosh dhe Shalë me 16 fshatra e 6 mijë banorë nuk mund të komunikojnë me Shkodrën dhe me asnjë pjesë tjetër të Shqipërisë. Shkak, më tepër se sa rënia dëborës është bërë ngrica në rrugë, ku dëbora e ngrirë ka krijuar një shtresë akulli tepër të rrezikshme dhe të pakalueshme. Në këto kushte izolimi, banorët e Dukagjinit pa rrugë, pa mjekë, pa rezerva ushqimore, pa ilaçe e pa shërbim të telefonisë, kanë ngelur në mëshirë të fatit dhe me plot gojën mund të quhen njerëz të harruar.

Nisemi për të shkuar te këta njerëz megjithëse rruga është bllokuar shumë kilometra larg shtëpive të tyre. Lëmë rrugën me asfalt dhe me borë të Shkodrës dhe kalojmë fshatin Mes, dhe futemi në një rrugë që shpresojmë të na çojë për në Dukagjin. Gjatë gjithë udhëtimit ecim nëpër një shteg të ngushtë që vetëm rrugë nuk mund të quhet. Nga njëra anë janë malet e larta të zhveshura e të mbushura me borë, nga ana tjetër humnerat qindra metra të thella që i shikon pa zgjatur kokën dhe oshtima e lumit Kir, që rrjedh me forcë. Udhëtuam rreth një orë mes maleve dhe nuk takuam asnjë njeri. Për automjete nuk bëhej fjalë. Fshati Prekal është i parë në zonën e Dukagjinit, kur shkon nga Shkodra. Aty nuk ka asnjë lëvizje, sikur në fshat nuk jeton njeri, por në fakt, njerëzit janë strukur në shtëpitë e tyre modeste. Pas disa minutash pamë një djalë që qëndronte te një derë, që mësuam se ishte e lokalit të fshatit. Pronari i lokalit, Pal Mihlli, teksa mëson se jemi gazetarë që kemi ardhur nga larg, me këmbëngulje na shtron për të ngrënë. Herë pas here, Pali dilte nga lokale dhe shkonte rrëzë një kodre ku ishte vendosur një shtyllë e vogël druri dhe prej aty fliste me telefon. Meqenëse e bëri disa herë këtë veprim, kureshtja na shtyu ta pyesim pse dilte aty për të folur në telefon dhe Pali duke buzëqeshur na tha “ju nuk e besoni, sepse nuk jeni rritur me këtë jetë të egër, por atë shtyllë ne e kemi si një lloj poste. E kemi vënë shtyllën aty si shenjë që tregon se në atë vend ka valë telefoni”. Në të vërtetë, vetëm në atë vend ku është vendosur shenja ka valë telefoni dhe kjo vlen për pjesën më të madhe të Dukagjinit. Shumë udhëtarë që zbresin nga Dukagjini ndalen këtu për të folur e më pas vazhdojnë udhëtimin.

Kalojmë fshatin Prekal dhe me gjithë këshillat që na dhanë banorët që të mos vazhdojmë udhëtimin, ecëm drejt Shoshit. Rruga bëhej gjithnjë e më e rrezikshme dhe makina rrëshqiste në akull. Rrugës për në fshatin Kir takuam Sokol Nikën, të cilin e dalluam nga larg me një thes mielli në krahë. “Nuk kemi asgjë mor bir. As ushqime, as mjek, as rrugë, asgjë… E shikon, ka të paktën gjysmë ore që eci në borë në këmbë dhe kam për të ecur edhe një gjysmë orë tjetër për të çuar këtë miell në shtëpi”, thotë Sokoli. Sa më shumë që ecën në këto anë aq më shumë kupton se këta njerëz nuk jetojnë, por mbijetojnë.

Pasi kaluam fshatin Pult, rruga u bë edhe më e vështirë. Herë pas here na u desh të ndaleshim, pasi era e ngrinte borën në ajër dhe nuk na lejonte të shikonim. Pranë malit të Shoshit, një makinë, drejtuesi i së cilës quhej Lulash Gjoni, po merrte kthesën dhe na tha se nuk shkohej më tutje me makinë. “Deri këtu mund të vish, jo më tej. E kam provuar disa herë edhe me zinxhirë, por është e kotë pasi makina rrëshqet”, thotë Lulashi.

Si për të provuar atë çfarë na tha ne zumë t‘i ngjitemi malit të Shoshit, nëpër rrugën që lidh komunat Shosh e Shalë me Shkodrën, por ishte e kotë. Në malin e Shoshit trashësia e dëborës ishte rreth 60 cm ndërsa akulli tepër i trashë e bënte rrugën të pakalueshme. Nga larg dalluam një udhëtar, i cili dukej se kishte përdorur qafat e maleve për të kaluar. Nga mënyra se si ecte dukej se po vinte nga larg. Quhej Dedë Ndreu dhe ishte banor i fshatit Prekal. Vinte nga bregu i Lumit, në Komunën e Shalës. Fjalët e para që na tha Deda sapo zbriti nga qafa ishin “Tungjatjeta burra, e mira ju gjettë, po ça bëni në këto anë? Duket se jeni jabanxhinj dhe bëni mirë të ikni sa nuk u ka zënë nata se do mbeteni këtu”. Meqenëse Deda kishte kaluar në zonat e izoluara në këmbë, patëm fatin të mësonim mirë për situatën atje. “Kam udhëtuar katër orë në këmbë dhe më duhet të udhëtoj edhe tre orë të tjera për të shkuar deri në Prekal. Situata në zonat e izoluara prej nga po vij është tepër e vështirë. Ka vende ku dëbora është 1 metër. Temperatura dje ka qenë -10 dhe ka pasur dhe stuhi bore. Nuk ka ushqime nga sa dëgjova nga banorët. Nuk ka asnjë mjek, as ilaçe, as arsimtarë, asgjë. Herë pas here ka dhe ndërprerje dritash. Banorët aty janë njëlloj si të jenë në burg. Madje në burg ka mjek dhe ushqime, por ata nuk kanë asgjë. Më e keqja është se nuk punojnë as telefonat dhe nuk dihet se çfarë bëhet. E vetmja rrugë për të shkuar tek ata, është helikopteri, pasi në këmbë është e rrezikshme të shkosh”, tregon Deda.

Vendosëm të ktheheshim andej nga erdhëm, duke lëmë pas gjashtëmijë frymë që jo vetëm nuk munden të komunikojnë me pjesën tjetër të Shqipërisë, por as nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre. Prej qindra vitesh jetesa e këtyre njerëzve ka fare pak ndryshime. Ashtu si ishin dikur, pa rrugë, pa telefona, pa prezencë shteti, pa ushqime, ashtu vazhdojnë të jenë edhe sot.

Problemet kryesore, në Qafë-Kërrabë dhe Qafë-Thanë

Bora bllokon rrugët edhe në Elbasan

Ndërsa reshjet e shiut janë shtrirë nëpër të gjithë zonat kodrinore dhe fushore të Qarkut të Elbasanit, ato të dëborës nuk kanë pushuar që nga mbrëmja e një nate më parë dhe gjatë gjithë ditës së djeshme. Jo më tepër së 10 kilometra larg qytetit të Elbasanit, reshjet e dëborës kanë mbuluar gati dy të tretat e territorit të qarkut, duke bërë herë-herë të pakalueshme Qafë-Thanën dhe Qafë-Kërrabën. Sipas informacioneve të policisë rrugore të Elbasanit, për rreth dy orë, dje në mesditë është ndërprerë lëvizja e mjeteve motorike drejt aksit rrugor Elbasan- Pogradec dhe anasjelltas. Ndërhyrja dhe prania e mjeteve të pastrimit përgjatë rrugës Librazhd – Qafë-Thanë, ka mundësuar qarkullimin e mjeteve, por vetëm ato të pajisura me zinxhirë. Autokolona e mjeteve të ndryshme me destinacion Pogradecin, Korçën e Maqedoninë, dje janë stacionuar në Mirakë, vija ndarëse e Librazhdit me Elbasanin, për shkak të dëborës dhe kanë nisur lëvizjen vetëm rreth orës 17:00. Informacionet nga nënprefektura e Librazhdit bëjnë të ditur se është bllokuar rruga drejt qytetit të Peshkopisë në Qafën e Lunikut dhe kanë mbetur pa drita që nga mëngjesi i ditës së djeshme komunat e Librazhd-Qendër, Stërblevë, Polis e Sopot. Ndërkohë, dje pas orës 17:00 nuk janë lejuar të lëvizin pa zinxhirë të gjitha mjetet që duhet të kalonin nga qafa e Kërrabës dhe një pjesë makinave kanë kaluar nga Elbasani në Durrës për të mbërritur në kryeqytet. Nga Gramshi mësohet se janë bllokuar rrugët rurale drejt komunave të Lenies e Grabovës për shkak të dëborës.

Dibër

Rruga Peshkopi-Kukës, e pakalueshme

Qarku i Dibrës, ku bëjnë pjesë rrethet Dibër, Mat dhe Bulqizë është goditur rëndë nga reshjet e dendura të borës që kanë rënë gjatë ditëve të fundit. Trashësia e dëborës ka arritur deri në një metër në zonat malore dhe në 60 cm në zona më të ulëta, ku ndodhen qendrat kryesore të kësaj treve. Për shkak të këtyre reshjeve janë izoluar krejtësisht komunat e thella si: Lura, Ostreni, Trebishti, Zerqani, Martaneshi, Xibri, Macukulli, Drejani etj. Autoritetet vendore njoftuan se rruga Peshkopi-Kukës është e kalueshme me shumë vështirësi, ndërkohë që shoferët që kanë tentuar të kalojnë dje në këtë aks thanë se kalimi është krejtësisht i pamundur, pasi reshjet e borës vazhdojnë të bien. Ndërkohë, rruga Peshkopi-Burrel mund të përshkohet vetëm me zinxhirë. Ndërkohë, mësohet se një numër fshatrash në zonat e thella kanë mbetur pa energji elektrike që nga nata e së shtunës.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login