Mourinjo: Kështu nuk mposhtet Mançesteri
by Andi Bega on 12/01/09 at 2:51 pm
Tekniku zikaltër eshte i shqetësuar për lojën e skuadrës së tij pas barazimit me Kaljarin
Interi ngadalëson hapin pas tetë fitoreve të njëpasnjëshme dhe Hoze Mourinjo duhet të falënderojë fatin e mirë për ruajtjen e pathyeshmërisë së tij në ndeshjet e luajtura në shtëpi (107 rezultate pozitive rradhazi për portugezin). “Nuk jam i kënaqur, – ka thënë në fund të ndeshjes tekniku zikaltër -, por për mua kjo është një pikë e fituar”.
MOU I PAKUJDESSHEM – Një barazim i arritur me një qëndrim (që është pak ta cilësosh të rrezikshëm) pothuajse vetëvrasës. Në mënyrë indirekte Mourinjo konfirmon: “Nuk flas për dy pikë të humbura, pasi ndeshja ka përfunduar 1-1, por mund të mbaronte edhe 3-0 për kundërshtarët”.
Më pas, ka analizuar taktikisht sfidën e San Siros. “Nuk kemi qenë të shpejtë. Pjesa e parë ka qenë me të vërtetë e shëmtuar, ndërsa në pjesën e dytë kemi dhënë maksimumin dhe goli i tyre ka ardhur pikërisht në momentin kur unë mendoja se ne do të shënonim. Nuk kërkoj justifikime, kjo duhet të jetë e qartë, por mungesat e Miakonit dhe Stankoviçit kanë ndikuar shumë.
Në ndeshjet e fundit kishim arritur të gjenim një ekuilibër që kundër Kaljarit ka munguar. Stoli im ishte i mbushur me sulmues dhe mbrojtës, kisha vetëm Himenez në dispozicion si mesfushor… Këtë e them pa dashur të mohoj meritën e Kaljarit.”
Mourinjo ka pranuar se “një Adriano në formë do të na kishte shërbyer shumë në këtë ndeshje. Karakteristikat e tij fizike do të kishin çorientuar mbrojtjen e kaljaritanëve”.
IBRA NUK ESHTE DAKORD – Braziliani do të kthehet në fushë të martën në mbrëmje, ndrëkohë, në sulm vazhdon të zgjidhë situatat Ibrahimoviç, që të shtunën ka shënuar edhe golin e tij të 11-të në kampionat dhe të 12-in në sezon.
“Për mua janë dy pikë të humbura, – ka thënë suedezi. – Gjithsesi ndeshjen e kishim përgatitur mirë, vetëm se pas ndërprerjes së kampionatit rreziqet janë të shumta”. Në krah të Ibrës është riparë një Krespo në formë shumë të mirë, “dhe jam i lumtur për këtë, – ka thënë argjentinasi. -
Kam pak mundësi, marr atë që më jepet dhe mundohem të jap gjithmonë maksimumin. Nuk është një situatë e lehtë, kanë ndryshuar kohët për mua, jam pak i mërzitur, por mund t’ju garantoj se morali im është gjithmonë lart dhe shpresoj që mendimi për mua të ndryshojë”.
AKUAFRESKA I SHKELQYER – Sulmuesi që i ka pëlqyer më shumë Mourinjos luan për momentin tek Kaljari. “Me të vërtetë i fortë Akuafreska, i aftë që nuk është ndikuar nga fakti se përballë kishte skuadrën e tij të ardhshme. Ka treguar pjekuri dhe profesionalizëm të madh. Po, më pëlqen shumë, por sot nuk mund të them nëse do të jetë me ne duke filluar që nga vera e ardhshme”.
Më pas karikon të tijët. “Tani duhet të vijë një reagim i bukur, nëse luajmë kështu kundër Mançester Junajted nuk do të kualifikohemi. Për fat të mirë në Champions ndikojnë edhe detajet, ka rëndësi të jeshë gati në momentin e duhur”.
Pengu i Mourinjos
“Me Çelsin do të fitoja Championsin”
“Nëse do të kisha qëndruar, Çelsi do të ishte bërë kampion i Europës”. Një deklaratë kjo, ndoshta e shoqëruar me një psherëtimë, e bërë nga Hoze Mourinjo, mik nderi i Roman Abramoviçit në Mançester për ndeshjen e madhe midis Djajve të Kuq dhe Bluve. “Brenda 2011-ës, viti kur më skadonte kontrata, – ka kujtuar ai -, do t’ja kishim dalë mbanë”.
Me pak fjalë, një mesazh nga një ish i vërtetë, që ndoshta është i destinuar për Roman Abramoviçin. “Kemi fituar shumë trofe, – ka thënë tekniku portugez -, jemi bërë kampion të Anglisë pas 50 vitesh, një vit më pas kemi fituar edhe një titull tjetër, më pas ka ardhur dhe Kupa e Anglisë e fituar në Uembli ndaj Mançester Junajted, dhe dy Kupa të Ligës.
Prakatikisht gjithçka përveç Championsit, por të gjithë ne donim më shumë. Dhe akoma më shumë ishte titulli europian. Do ta kishim fituar dhe atë”. Por pavarësisht këtij pengu, Abramoviç është dhe do të mbetet një “person i veçantë” për “të veçantin”.
“Marrdhënia jonë është e shkëlqyer, – ka thënë Mou -, është shumë i sjellshëm dhe jam i lumtur për këtë. Flasim shpesh dhe jo vetëm për futboll. Dhe nuk mendoj se ai do të heqë dorë nga Çelsi, është më i lidhur se kurrë me këtë klub”.
Leave a Comment