Moti i keq, shtabi i emergjencës mbyll përkohësisht 51 shkolla
by admin on 10/01/09 at 4:26 pm
Qeveria, masa për situatën në veri dhe urdhëron ndërprerjen e mësimit në disa komuna
Moti i keq vendos në gatishmëri numër një shtabin e emergjencave civile. Numri dy i qeverisë, Genc Pollo, ka pritur në Kryeministri ministrat, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, drejtorin e emergjencave civile dhe drejtorin e OSSH-së për të bërë një bilanc të gjendjes aktuale që është shkaktuar nga moti i keq në zonat veriore të vendit. Zv/kryeministri Genc Pollo dhe ministri i Arsimit, Fatos Beja, kanë vendosur që të mbyllet përkohësisht mësimi në 51 shkolla të vendit.
Shkollat e mbyllura
Ekzekutivi vendosi mbylljen e shkollave në rrethin e Dibrës, me përjashtim të qytetit të Peshkopisë dhe Komunës Maqellarë. Sipas urdhrit më të fundit të shtabit të emergjencave, mësimi nuk do të kryhet në shkollën e Komunës Fan dhe në qytetin e Rubikut. Mësimi do të ndërpritet edhe në 16 shkolla në komunat Kolsh, Malzi, Zapot, Ujmisht, Bushtricë, Gryjë-Caje dhe Arren. Ministri i Arsimit kërkoi mbylljen gjithashtu përkohësisht edhe të 7 shkollave në rrethin e Hasit, përkatësisht në komunat Golaj, Perollaj, Kostur, Tregtan, Metaliaj, Gjinisht dhe Kishaj. Edhe rrethi i Elbasanit, i prekur nga reshjet e borës, do të ndërpresë mësimin në 6 shkolla në Komunën Shmill. Në rrethin e Tropojës mësimi nuk do të zhvillohet në 20 shkolla në komunat Margegaj, Bytyç, Tropojë, Llugaj, Fierzë, Bujan, Lekbibaj. Po kështu, në rrethin e Librazhdit do të ndërpritet mësimi, përveç shkollave në qytetin e Librazhdit e komunave Rajcë, Qukës, Polis dhe Hotolisht. Sipas shtabit të emergjencave, Ministria e Shëndetësisë do të dërgojë medikamente e ndihmë mjekësore në të gjitha krahinat, ku është evidentuar mungesa e tyre dhe do t‘u jepet prioritet zonave të bllokuara.
Shtabi
Sipas raportit të Ministrisë së Brendshme, kanë rifilluar reshje të dëborës në disa krahina të vendit dhe është nevoja për ndërhyrje për të mbajtur të hapura akset rrugore dhe për të siguruar furnizimet thelbësore kryesore. Zv/kryeministri Genc Pollo, i cili kryeson Shtabin Qendror të Emergjencave Civile, pohoi vizitën e kreut të shtetit në Peshkopi dhe Kukës. Duke informuar mbi vendimet e marra në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës, zv/kryeministri Pollo vuri në dukje se krahas shtabeve lokale të drejtuara nga prefektët në çdo prefekturë, edhe zyrtarët e lartë, apo anëtarët e qeverisë do të jenë në terren për të parë gjendjen dhe për të bërë të mundur një koordinim, apo një asistencë më të mirë për banorët e këtyre zonave. “Shtabi Qendror i Emergjencave Civile do të vazhdojë të mbikëqyrë situatën dhe do të mblidhet periodikisht për t‘iu përgjigjur çdo nevoje që del për këtë situatë moti jo normale dhe që ka shkaktuar probleme të shumta”, u shpreh zv/kryeministri.
Sipas Pollos, “pasi u mor në shqyrtim situata e krijuar në disa zona të vendit nga rifillimi i reshjeve të dëborës, u përcaktua domosdoshmëria për hapjen e akseve rrugore, si dhe sigurimi i furnizimit të banorëve me ushqime e medikamente mjekësore”.
Shtabi Qendror i Emergjencave Civile u kryesua nga kryetari Genc Pollo, zëvendëskryeministri dhe morën pjesë anëtarët: e ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Lufter Xhuveli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Maksim Malaj, drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Ahmet Premçi, drejtori i OST-së, Ymer Balla, dhe drejtori i OSSH-së, Sahit Dollapi.
Leave a Comment