Moti i keq lë vendin pa drita

by on 05/01/09 at 8:39 pm

Pas festave, Shqipëria gdhihet në terr pas rënies së shtyllave 110 kv. Situatë e rëndë në Veri. Normalizohet Tirana dhe Durrësi

Mbarimi i festave të fundvitit i ka rikthyer shqiptarët në rutinën e përditshme pa furnizim normal me energji elektrike. Që në ditët e para të Vitit të Ri 2009, një pjesë e Shqipërisë, kryesisht Veriu, është gjendur me mungesa të theksuara të dritave, si pasojë e motit të keq, i karakterizuar nga stuhitë dhe reshjet e dëborës. Gjatë dy ditëve të fundit, bashkë me disa zona të Veriut është bashkuar Tirana dhe Durrësi, periferitë e të cilave nuk kanë pasur energji elektrike. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes-OSSH njoftoi për ndërprerje të dritave gjatë paradites së djeshme për shkak të disa remonteve të nevojshme pas rrëzimit të shtyllave me linja transmetimi 110 kilovolt. Për riparimin e tyre, detyrë kjo e Operatorit të Sistemit të Transmetimit-OST, është punuar gjatë gjithë ditës me ndihmën e brigadave të OSSH. Situata është normalizuar gjatë pasdites së djeshme në Tiranë dhe Durrës, e më pas në disa qytete veriore të vendit. Pavarësisht normalizimit të furnizimit me drita, reshjet e vazhdueshme të dëborës nuk japin garanci për mosndërprerje të energjisë, duke lënë në gatishmëri punonjësit e OSSH për çdo ndërhyrje të mundshme në rrjet.

Situata

Në orët e para të ditës së djeshme, OSSH njoftoi se, “e detyruar nga kushtet, do të kryente stakime të linjave në periferinë e Tiranës dhe në fshat”. Vetë OSSH paralajmëroi se, nga stakimi i linjave këto zona do të jenë me orë të gjata pa drita. Shkak i gjithë kësaj situate ishin linjat e transmetimit të OST-së, konkretisht të Koman-Tiranë-Elbasan, të cilat kishin pësuar avari për shkak të motit të keq. Nuk ishte vetëm Tirana dhe zonat përreth të përfshira nga shqetësimi i mungesës së dritave. Reshjet e vazhdueshme me dëborë, të shoqëruara me stuhi ere të fortë, sollën pasoja të rënda edhe për qytetin e dytë më të madh në vend, Durrësin. Rrëzimi i disa shtyllave të linjës 110 kilovolt sollën mungesën e dritave për periferinë e qytetit bregdetar, ndërsa në Veri të vendit, sidomos në Kukës, Has dhe Tropojë, gjendja vijonte me përkeqësim. Pas dy ditësh mungesë të furnizimit me energji elektrike, është rikthyer normaliteti, i trazuar nga reshjet e dëborës, të cilat krijuan 1 metër trashësi në disa zona të ndryshme. Ndërkaq, OSSH njoftoi po dje se, Lezha dhe Laçi janë pa energji. Në Lezhë është rrëzuar shtylla 110 kilovolt afër zonës së Dajçit, duke lënë qytetin afërisht 13 orë pa drita, ndërsa në Laç është këputur përcjellësi me fuqi transmetimi 110 kv. Mësohet gjithashtu se, brigadat e OST-së dhe OSSH-së, pasi punuan për riparimin e defektit, mundësuan rikthimin e energjisë elektrike. Situatë normale u krijua edhe për Tiranën dhe Durrësin, pas riparimit të linjës së transmetimit të OST-së.

Premtimi

Në prag të festave të fundvitit OSSH kishte garantuar furnizim 24 orë pa ndërprerje me energji elektrike, përveç rasteve kur do të kishte defekte. Në fakt, qytete të ndryshme të vendit, përfshi edhe Tiranën janë shoqëruar me raste sporadike të kufizimit të dritave gjatë ndërrimit të viteve. Zona e Kombinatit në Tiranë nuk pati energji elektrike më 31 dhjetor për gati tri orë, përfshi dhe qendrën, pas Muzeut Kombëtar.

Historia me remontet

Fjala remont po shoqëron gjithnjë e më shumë fenomenin e mungesës së energjisë elektrike. Në muajt e verës të 2008-s, OSSH kreu disa ndërhyrje në rrjet, pra remonte në disa linja duke lënë pa drita qytete të ndryshme të vendit. Preteksti ishte garantimi i dritave në sezonin e ftohtë të dimrit, ku konsumi i lartë detyron linjat të punojnë tej kapacitetit. Dimri erdhi bashkë me reshjet e dëborës duke sjellë rrëzimin e shtyllave, të riparuara gjatë verës nga OST dhe OSSH. Mungesa e dritave, jo vetëm u rikthye, por u përforcua, ndërsa qeveria në prag të zgjedhjeve është duke përgatitur pretimin e radhës. I fundit (maj 2005) ishte 24 orë pa ndërprerje brenda 2007.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login