Ministri turk Babacan viziton Kosovën

by on 13/01/09 at 9:42 am


Ministri i Jashtëm i Turqisë do të jetë sot në një vizitë zyrtare në Kosovë. Në krye të një delegacioni turk, ministri Ali Babacan do të mbërrijë në Prishtinë rreth orëve të para të mbrëmjes së sotme. Mësohet se në agjendën e sotme të delegacionit turk, nuk ka shumë angazhime, ndërkohë që pritet vetëm një darkë midis ministrit turk dhe homologut të tij kosovar, Skënder Hyseni.

Këtë vizitë e ka paralajmëruar edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili është kthyer nga vizita në shtetin turk para pak ditësh.

Sipas njoftimit të ambasadës turke, ministri Babacan gjatë ditës së dytë të vizitës do të ketë takime me Presidentin Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi, Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Skender Hyseni. Po ashtu, ditën e nesërme, ministri Babacan do t’i drejtohet me një fjalë Parlamentit të Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë të ministrit Babacan, do të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi si dhe një marrëveshje për heqjen e vizave për qytetarët e të dy vendeve.

Delegacioni turk, i cili në përbërjen e tij ka edhe një numër prej 100 përfaqësuesish të biznesit, do të ketë takime edhe me përfaqësues të biznesit kosovar.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login