MIJËRA PERSONA MANIFESTOJNË NË LONDËR KUNDËR OFENSIVËS NË GAZA DUKE SHKAKTUAR DISA PËRPLASJE

by on 10/01/09 at 9:58 pm

Mijëra persona manifestuan sot në qendër të Londrës kundër vazhdimit të goditjeve izraelite në Rripin e Gazës dhe policia përmendi përplasjet e para me disa manifestues.
Rreth 12 000 persona sipas një vlerësimi të bërë fillimisht nga policia, 100 000 sipas orgaizatorëve, u mblodhën pasdite pranë Hyde Park. Vargu i njerëzve, i drejtuar nga artistë dhe politikanë të majtë, u drejtua për nga ambasada e Izraelit në lagjen Kensington.
Disa manifetues mbanin në duar parrulla të zbukuruara me flamuj palestinez ku kërkonin: “Lironi Palestinën”, “Ndaloni masakrën në Gaza” ose “Ndaloni holokaustin në Gaza”.
Pati disa përplasje me policinë, pasi disa manifestues u përpoqën të çanin rrethimin në rrugën që të çon në ambasadën e Izraelit dhe të largonin pengesat për hyrjen në ambasadë. “Policia u bë objekt sulmi nga një numër i vogël manifestuesish të cilët hodhën shkopinj dhe gurë”, deklaroi Scotland Yard në një komunikatë.
Organizatorët, me në krye koalicionin pacifist “Stop the War”, ishin shprehur se do të shmangnin përleshjet e konstatuara të shtunën e kaluar.
Ky manifestim i parë masiv në Londër për të protestuar kundër situatës në Gaza ka mbledhur rreth 12 000 persona sipas policisë dhe më tepër se 60 000 sipas organizatorëve.
“Shpresoj të arrijmë dy gjëra: njëra është t’i themi qeverisë britanike se shumë njerëz ndihen të përfshirë dhe tjetra t’i themi Izraelit se pjesa tjetër e botës e di se çfarë po ndodh”, i deklaroi BBC-së këngëtari Brian Eno.
“Jam i lumtur t’ju them se ka shumë oratorë hebrej në protestë”, shtoi ai. “Janë njerëz të cilët ashtu si të gjithë ne mendojnë se kjo është një situatë e tmerrshme që ka pasoja për të gjithë ne”.
Ish-kryetari laburist i Londrës, Ken Livingstone, theksoi në një komunikatë se “qeveria britanike dhe Bashkimi Europian kanë leva ekonomike për ta ndaluar këtë gjakderdhje”.
Rreth 10 000 persona, sipas organizatorëve, manifestuan në Edimburg, në veri, për të denoncuar politikën e Izraelit.
Ata hodhën rreth 300 këpucë në drejtim të konsullatës së Shteteve të Bashkuara, një gjest që të kujton simbolikisht atë të një gazetari irakian ndaj presidentit amerikan George W. Bush.
Rreth 5 000 persona, po sipas organizatorëve, janë mbledhur në Belfast për të shprehur solidaritetin me palestinezët.
Një manifestim me thirrjen e lëvizjeve proizraelite është parashikuar për nesër në mëngjes në orën 11:30 GMT në Londër, në Trafalgar Square. Një tjetër është parashikuar për në orën 11:00 GMT në Mançester.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login