Memia: Tapitë që nuk do hetohen
by Andi Bega on 12/01/09 at 3:06 pm
Legalizimet dhe “loja” me hipotekat. Kreu i ALUIZNI-t kundër rishikimit të lejeve të pronësisë. Në rrezik 450 mijë certifikata
Kreu i Agjencisë së Legalizimit, Shaban Memia, konfirmon se të gjitha tapitë që janë shpërndarë deri tani nga procesi i legalizimeve nuk do t‘i nënshtrohen procesit të verifikimit nga komisioni i ngritur për verifikimin e tokave. Në këtë mënyrë do të shpëtojnë nga verifikimet ata që tashmë e kanë të legalizuar shtëpinë e ndërtuar në zonat informale.
Në momentin që ishte ndezur drita jeshile për procesin e kompensimit fizik të ish-pronarëve, një tjetër problem u shtohet pronarëve legjitimë të tokave. Të gjitha ndërtimet e bëra në zonat informale dhe që kanë marrë tapitë nga ALUIZNI, nuk do t‘i nënshtrohen verifikimit nga komisioni qeveritar i tokave. “Ky është një proces më vete dhe deri tani ne nuk kemi asnjë dokumentacion apo ndonjë urdhër që tapitë që janë dhënë deri tani nga ALUIZNI të verifikohen nga komisione të tjera”, u shpreh drejtori i ALUIZNI-t, Shaban Memia.
Komisioni do të vërtetojë vetëm tokën bujqësore, e cila do të përdoret për procesin e kompensimit fizik të ish-pronarëve. AKKP do të bëje verifikimin në terren të sipërfaqes së tokës dhe më pas do ta vendosë atë përfundimisht në dispozicion të kompensimit fizik.
Megjithëse kreu i ALUIZNI-t ka kundërshtuar verifikimin e tapive të dhëna deri tani nga agjencia që ai drejton, ngërçi i çështjes së dhënies së titujve të pronësisë qëndron te hipotekat. Të gjithë ata që kanë emrin në listat e personave që do të legalizojnë banesat e tyre, problemin real aktual e kanë me zyrën e hipotekës.
Titujt e pronësisë
Sipas të dhënave, në të gjithë vendin janë rreth 450 mijë tituj pronësie në total, të cilët janë programuar të kalojnë në procesin e verifikimit. Përgatitja e bazës së të dhënave do të evidentojë të gjitha rastet përkatëse të realizuara si dhe ato problematike të shfaqura deri në mbylljen përfundimtare të procesit të shpërndarjes. Ekspertët e komisionit për verifikimin e tokave dhe ata të Ministrisë së Bujqësisë kanë përcaktuar pikat konkrete mbi të cilat do të bëhet verifikimi i titujve të pronësisë në të gjitha qarqet nga komisionet e posaçme. Ministria e Bujqësisë ka bërë edhe kategorizimin e tokave, duke përcaktuar dhe llogaritur saktë sipërfaqet dhe shtrirjen gjeografike të tyre, procedurë kjo që është finalizuar me regjistrimin e tokave në 11 qarqe të vendit, ku sasinë më të madhe të tyre e ka qyteti i Korçës me 10 mijë ha tokë.
Komisioni “Pollo”
Komisioni qeveritar i ngritur posaçërisht për këtë proces do të nisë dhe verifikimin në terren të këtyre tokave, duke zbatuar nenet përkatëse të ligjit. Përveç të tjerave, ngritja e këtij komisioni do të ndihmojë në kontrollimin e aktiviteteve që do të kryejnë specifikisht në terren rreth 5 mijë komisionet e tjera të shpërndarjes së tokës.
Verifikimet
Ministria e Bujqësisë, verifikim tokave bujqësore
Qeveria ka publikuar edhe shifrat e para të tokës pyjore apo livadheve që janë nën administrimin e pushtetit vendor. Duke iu referuar këtyre shifrave, mund të themi se janë gjithsej 72 mijë ha tokë pyjore dhe livadhe të lira. Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë ka paraqitur për këtë proces rreth 20 mijë ha tokë të lirë bujqësore, ndërkohë që në mënyrë jo zyrtare pranohet se janë rreth 130 mijë ha tokë e lirë, e cila mund të jetë e zaptuar në mënyrë të paligjshme, por që ligjërisht rezulton pa pronar. Kohëzgjatja e verifikimeve në terren do të kushtëzojë edhe periudhën e saktë të kompensimit të një pjese të mirë të ish-pronarëve. Procesi i verifikimit të tokës bujqësore ka nisur tashmë, por asnjë nga tapitë e dhëna padrejtësisht nuk është rimarrë sërish për t‘ia kthyer atë pronarit të ligjshëm. Premtimi i Kryeministrit gjatë 2008-ës, që do t‘u merret toka “hajdutëve të tokave” që i kanë përfituar padrejtësisht trojet, duket se nuk ka gjetur zbatim në punën e këtij komisioni.
Thyhet premtimi i Berishës, se pushtetarët që kanë abuzuar me tokën do të përballen me ligjin
“Ngrin” puna e komisionit qeveritar për tokën
Ngrin puna e komisionit të verifikimit të tokave. Në shtator të vitit të kaluar, Kryeministri Berisha kërkoi nga ky komision që të verifikojë titujt e pronësisë dhe akuzoi gjithashtu edhe pushtetarët se janë duke abuzuar me trojet e ish-pronarëve.
Detyrën e verifikimit e ka marrë përsipër grupi i punës i kryesuar nga zëvendëskryeministri Genc Pollo. Pak kohë më parë qeveria kaloi paketën e rregullave mbi bazën e të cilave do të bëhet verifikimi i titujve të pronësisë në të gjitha rrethet e vendit. Këshilli i Ministrave la afat tre muaj që ‘pronarët‘ e paligjshëm të kthejnë pronat e marra pa të drejtë, në të kundërt ata do të përballen me sanksionet ligjore. Kanë kaluar më shumë se tre muaj dhe ky komision jo vetëm që nuk ka dhënë asnjë emër pushtetari i cili abuzon me tokat, por asnjë pronë të kthyer deri tani. Kryeministri Berisha, në një prej mbledhjeve të qeverisë gjatë 2008-ës u ka bërë thirrje abuzuesve me pronat, që t‘i dorëzojnë ato vullnetarisht, në të kundërt do të përballeshin me ligjin. Për këtë gjë, kreu i qeverisë ngriti edhe komisionin për verifikimin e tokave dhe kërkoi nga ky komision që ata persona të cilët kanë abuzuar me tokat, të përballen me masa penalizuese që i parashikon legjislacioni në fuqi.
“Unë do të bëj një thirrje që të gjithë ata që e kanë marrë tokën në mënyrë të pamerituar, ta dorëzojnë atë. Në të kundërt, duhet të veprojnë fuqishëm të gjitha prerogativat penale, si ndaj atyre që e kanë dhënë padrejtësisht, ashtu dhe ndaj atij që e ka marrë abuzivisht tokën”, është shprehur Berisha kundrejt këtij fenomeni. Për këtë gjë, Kryeministri la në dispozicion një afat kohor prej tre muajsh për abuzuesit që të dorëzojnë vullnetarisht tokën. Që nga koha e paralajmërimit të kreut të qeverisë kanë kaluar tre muaj deri tani dhe ende nuk ka asnjë të penalizuar që të përballet me akuzën e Kryeministrit. Gjatë muajit shtator, Kryeministri gjatë deklaratës së tij bëri të ditur se ndër abuzuesit me tokat renditen edhe pushtetarët. Kryeministri gjatë fjalës së tij ka siguruar abuzuesit se nuk do të munden dot t`i shpëtojnë verifikimit të saktë, kjo pasi komitetet e verifikimit të titujve do të përdorin hartën dixhitale. Sipas tij, Harta digjitale që disponohet nga fotografia ajrore dixhitale e vitit të kaluar është një ndihmë e madhe për këto komisione, e cila lejon matjen centimetrike. Duke e konsideruar ligjin e ri si ligjin e antimafies së tokës, shefi i mazhorancës nuk ka ngurruar të lëshojë akuza të forta se njerëz të veshur me pushtet janë dhe përfituesit më të mëdhenj nga abuzimi që është bërë gjatë zbatimit të 7501-shit. Deklarata e shefit të qeverisë për abuzimet me trojet ishte se “ata që kanë grabitur tokën, në radhë të parë janë pushtetarë dhe unë i garantoj qytetarët shqiptarë se në këtë shqyrtim nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë tendencë politike, të cilësdo ngjyre apo grupimi. Cilido pushtetar, vendor apo qendror, që ka përvetësuar tokën në kundërshtim me ligjin, do të përballet me ligjin dhe humbjen përfundimtare të pronësisë mbi të”.
Leave a Comment