Maqedoni,zgjedhjet do mbahen në 22 mars

by on 11/01/09 at 9:17 am

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Trajko Veljanovski ka caktuar zyrtarisht 22 marsin ditën e zgjedhjeve lokale dhe presidenciale në vend. “Duke u nisur nga detyrimet e mia kushtetuese kam firmosur vendimet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe lokale në Republikën e Maqedonisë, të cilat do të mbahen me 22 mars të këtij viti”, deklaroi kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski. Sipas Veljanovskit, firma për datën e zgjedhjeve ka ardhur pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese nga ana e parlamentit dhe konsultimet që ai ka pasur me liderët e partive politike, nga të cilët ka marrë pëlqimin se 22 marsi është datë e përshtatshme për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Veljanovski madje tha se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për qytetarët maqedonas sepse pikërisht zgjedhjet e lira dhe demokratike sipas standardeve europiane janë kusht për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. “Dëshiroj t’iu bëj një apel deri të gjitha institucioneve shtetërore që t’i kryejnë me përgjegjësi detyrimet e tyre zgjedhore. Personalisht jam i bindur se institucionet shtetërore, parasëgjithash KSHZ-ja si më përgjegjëse, kanë kapacitet dhe dijeni që t’i realizojnë sic duhet ato. Por me shumë rëndësi është sjellja e partive politike, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhje, sepse prej tyre varet nëse zgjedhjet do të vlerësohen si të lira dhe demokratike”, theksoi kryetari i Parlamentit maqedonas Veljanovski. Fushata zgjedhore në Maqedoni fillon 22 ditë përpara zgjedhjeve, dhe përfundon 24 orë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve, kur hyn në fuqi edhe heshtja zgjedhore.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login