Lushnjë, përroi përmbyt 100 shtëpi në Karbunarë

by on 05/01/09 at 8:44 pm

Ndërsa veriu dhe juglindja jetojnë nën pushtetin e borës, Shqipëria e Mesme dhe ajo e Jugut janë mbytur nga shirat. Në Qarkun e Fierit, shumë pjesë të rrugëve kombëtare dhe rurale janë përmbytur nga uji, sikundër edhe disa sipërfaqe toke bujqësore. Shtabi i Emergjencave Civile në Prefekturën e Fierit, që është mbledhur mëngjesin e së dielës, deklaron se akset rrugore kombëtare janë nën kontroll, por frika më e madhe ekziston në brigjet e lumit Vjosë, ku rrezikohet të rikthehen përmbytjet. Ndërkohë, në Lushnjë, përmbytjet kanë prekur edhe njerëzit. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar daljen nga shtrati të përroit të Karbunarës dhe përmbytjen e një pjese të madhe të zonës. Përmbytja është shënuar mbrëmjen e 3 janarit, kur afro 100 banesa u gjendën nën ujë. Autoritetet njoftuan edhe për pesë sera dhe shumë parcela toke të përmbytura. Banorët akuzojnë pushtetin vendor, që nuk ka marrë masa, me gjithë paralajmërimet e tyre për daljen nga shtrati të përroit të zonës, që nuk është pastruar prej kohësh. Fakti që pas dy orësh, me ndërhyrjen e punonjësve të bordit të kullimit pranë Bashkisë Lushnjë, situata u normalizua, tregon qartë se shkak i vetëm për këtë përmbytje nuk ka qenë intensiteti i reshjeve, por neglizhenca e punonjësve të bashkisë që nuk pastrojnë në kohë përroin nga mbeturinat. Në kohën e aksionit të pastrimit nga bordi i kullimit, ka qenë në terren dhe kryebashkiaku i Lushnjës, Albert Sanxhaku, i cili nuk i ka kursyer premtimet se do të jetë i gatshëm që të dëmshpërblejë banorët e prekur nga kjo përmbytje.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login