LUFTANIJET IZRAELITE KTHEJNE MBRAPSHT NJE ANIJE ME NDIHMA PER GAZEN
by DashiC on 15/01/09 at 1:22 pm
Luftanijet izraelite detyruan sot që një anije, që lundronte me një flamur grek dhe që transportonte ndihma humanitare për palestinezët në Gaza, të kthehej pa arritur të çonte ndihmat në vend, deklaruan sot disa aktivistë humanitarë.
Aktivistët që ndodheshin në anije deklaruan se po ktheheshin në Qipro pasi gjatë natës, në ujërat ndërkombëtare, kishin patur përplasje me anijet izraelitete, cilat kishin kërcënuar se do të hapnin zjarr nëse anija nuk kthehej.
“Anija, në të cilën ndodheshin 21 persona u zbulua nga luftanijet izraelite rreth 100 milje në verilindje të brigjeve të Rripit të Gaza”, deklaroi Huwaida Arraf, njëra prej organizatorëve të misionit të lëvizjes “Çlironi Gazën” me qendër në SHBA.
“Luftanijet izraelite u afruan shumë pranë dhe na kërcënuan se do të hapnin zjarr nëse anija vazhdonte drejt Gazës”, deklaroi Arraf.
“Na rrethuan katër luftanije izraelite dhe kjo na e vështirësoi së tepërmi lundrimin në drejtimin e nisur, ndërkohë që na komunikuan se do të përdornin të gjitha mjetet e mundshme për të na mbajtur larg brigjeve të Rripit të Gazës”, shtoi ajo.
Zëdhënësja e misionit, Karin Pally deklaroi se personat që ndodheshin në anije vendosën të ktheheshin.
Izraeli detyroi dje një anije iraniane, që transportonte ndihma humanitare për palestinezët në Gaza, të kthehej.
Të dyja anijet kishin plan të ndalonin drejtpërdrejt në portin e Gazës dhe jo të kalonin përmes pikave të kontrolluara nga Izraeli dhe nga Egjipti, në të dyja pikat kufitare të Gazës, ndërkohë që në anijen e nisur nga Qipro ndodheshin politikanë, punënjës të ndihmave dhe mjekë.
Bllokada detare izraelite në Gaza është intensifikuar pas fillimit të sulmeve më 27 dhjetor që kanë si qëllim largimin e militantëve të Hamasit nga enklava.
Lëvizja “Çlironi Gazën” nisi dërgimin e rregullt të ndihmave drejt Rripit të Gazës nga Qipro gjatë muajit gusht të vitit të kaluar.
Leave a Comment