Ligji i “DOSJEVE”-Neritan Ceka: Presidenti ta dekretojë
by Andi Bega on 11/01/09 at 2:36 pm
Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, u shpreh të dielën se Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duhet të dekretojë ligjin e “dosjeve”.
Gjatë një prononcimi, zoti Ceka u shpreh se “për çdo çështje që lidhet me Kushtetutën apo të drejtat e njeriut, ata persona që kanë konstestime duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, por pavarësisht kësaj Presidenti duhet ta dekretojë ligjin”.
Sipas Kreut të Partisë Aleanca Demokratike, “miratimi i ligjit të ‘dosjeve’ i jep fund kësaj historie kaq të debatuar nga shoqëria dhe politika shqiptare”.
Në datën 22 dhjetor, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 74 vota ligjin ”Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë”, i quajtur ndryshe si ligji i ‘dosjeve’. Ky ligj synon të kontrollojë çdo funksionar publik të zgjedhur apo të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletariatit, si dhe në strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit.
Ligji me 30 nene, ka një shtrirje në kohë përreth 45 vjet (29 Nëntor 1944 – 8 Dhjetor 1990) dhe parashikon verifikimin e figurave të funksionarëve publikë, përfshirë Presidentin e Republikës, deputetët e Kuvendit, anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, funksionarë të lartë politikë e administrativë, anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve.
Gjithashtu, ligji shqiptar nuk penalizon njeri, por ai vendos një masë administrative për një periudhë të kufizuar për ata që synojnë poste ose marrjen e piramidës së shtetit shqiptar.
Nga ana tjetër, ligji sanksionon të drejtën e çdo shtetasi shqiptar për t’u njohur me të dhënat personale lidhur me atë që përmbajnë dosjet e sigurimit të shtetit, kjo e bazuar në standardet e kërkuara nga Këshilli i Europës në rezolutën e tij.
Leave a Comment