Kujt do t’i mungojë Bushi?

by on 14/01/09 at 2:14 pm


Kujt do t’i mungojë Bushi?
Shumë është shkruar rreth jo popullaritetit të George W Bush anë e mbanë globit, por çka për ato shtete ku presidenti në largim ishte i popullarizuar?

Në kohën kur po largohet nga posti me shkallën më të lartë të pakënaqësisë së brendshme – 73%, sipas një sondazhi të bërë në tetor nga ABC News/Washington Post – presidenti George W. Bush ndoshta mund të marrë pak ngushëllim nga fakti se kjo ndjenjë pakënaqësie për të nuk është e barabartë edhe jashtë vendit.

Përderisa incidenti me këpucë në Irak mund të simbolizojë opinionin e botës për një president, i cili shpesh është quajtur si më i keqi në historinë amerikane, disa qosheve të botës do t’u mungojë presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara.

Ai e ka shkallën e aprovimit 80% në Afrikë, sipas disa sondazheve, dhe në Kosovë një rrugë kryesore është emëruar sipas emrit të tij, për ta falënderuar për mbështetjen që i ka dhënë pavarësisë së Kosovës.
“Përgjithësisht në SHBA pranohet se Bushi ka gjeneruar urrejtje për Amerikën përreth botës,” thotë Peter Berkowitz, anëtar i Institutit Hoover.

“Por, fotografia nuk është bardh e zi,” shton ai.

Lidhjet me Izraelin

Në ditët e fundit të administratës së tij, Bushi përsëri demonstroi mbështetjen e ti të patundur për Izraelin në sulmimin e Gazës.
Analistët në SHBA thonë se Izraeli ndoshta me qëllim e zgjodhi këtë kohë për ofensivën ushtarake në Gazë, në mënyrë që ajo të bëhej para largimit të Bushit.

Izraeli e dinte se mund të llogarisë që presidenti i tanishëm do të përkrahë veprimet e tij, por nuk është shumë i sigurt se si do të reagonte administrata Obama.

Lidhjet e SHBA-së me Izraelin gjithmonë kanë qenë të forta, por disa besojnë se marrëdhënia midis dy vendeve ishte edhe më e fuqishme në kohën e Bushit – varësisht se si Obama do të merret me Lindjen e Mesme – presidenti që po ikën mund të çmohet edhe më shumë në Izrael, pasi të largohet nga Shtëpia e Bardhë.

“Izraeli mbase është vendi i vetëm në botë, ku Bushi akoma mund të fitojë brohoritje,” thotë Berkowitz i cili ishte në Izrael në kohën e vizitës së Bushit në muajin maj, për 60 vjetorin e krijimit të Izraelit, ku ai kishte fituar shumë brohoritje.

“Izraeli ka përshtypje se Bushi i kuptonte shumë mirë sfidat me të cilat përballej. Por, pikëpamja ime është se gjithashtu ai i kuptonte edhe vuajtjet dhe sfidat e palestinezëve. Para së gjithash, ai ishe presidenti i parë amerikan i cili bëri thirrje për krijimin e shtetit të Palestinës.”
Sidoqoftë, është pak e mundur që shumë palestinezë do ta kujtojnë Bushin për atë thirrje të veçantë – veçanërisht tani, kur imazhi i tyre i fundit për administratën e Bushit do të formohet nga sulmet e fundit të Izraelit në Gazë.

Zhgënjim i hidhur

Kurse Libani është një vend ku ekziston akoma një vlerësim i qëndrueshëm për Bushin në disa qarqe, megjithëse i larmuar me zhgënjim.

Përkrahja e administratës për fraksionet pro-perëndimore të Libanit, pas turbullirave që pasuan vrasjen e ish kryeministrit Rafik Hariri në vitin 2005, është marrë me mirënjohje dhe lehtësim.

Ajo që në Washington njihej si “Revolucioni Cedar” – dhe te libanezët si “Infiada e Pavarësisë” – nga Bushi ishte quajtur si një rezultat i suksesshëm i agjendës së tij për liri.

Politikanët liberalë, anti-sirianë dhe pro-perëndimorë, arritën t’i fitojnë zgjedhjet legjislative dhe formuan qeverinë për herë të parë në tri dekada.

Por, zhgënjimi i hidhur erdhi në verën e vitit 2006, kur Izraeli dhe Hezbollhu i Libanit hynë në luftë të egër. Numri i civilëve që po vdisnin ishte shumë i madh, por Washingtoni për ditë të tëra refuzonte të bënte thirrje për armëpushim.

Turmat e lumtura

Afrika si kontinent dallohet si rajoni kryesor në botë, ku Bushi ka shumë mundësi t’u mungojë dhe ku mbështetja e gjerë për teksasianin 62 vjeçar mistifikon kritikët e tij.

Kur Bushi e vizitoi kontinentin në muajin shkurt të vitit të kaluar, ai ishte përshëndetur kudo nga turma të emocionuara dhe të lumtura.
Sondazhet e fondacionit Pew sugjerojnë se shkalla e aprovimit të Bushit ishte mbi 80%, bile edhe në vendet që dominohen nga popullata myslimane.

Në Darfur njoftohet se shumë njerëz i emërojnë të porsalindurit e tyre me emrin George Bush.

“Ndërsa kritikët e Bushit i kanë dhënë atij pak nderime për nismat e tij në Afrikë, ato do të jenë në mesin e trashëgimeve më të qëndrueshme të Bushit në një rajon të botës së braktisur nga politikbërësit nga të dy partitë për një kohë të gjatë,” shkroi Andrew Natsios, anëtar i Institutit Hudson, në një artikull në Boston Globe vitin e kaluar.

Kjo ndihmoi që Amerika mos të marrë pjesë në ndonjë luftë në Afrikë, siç merr pjesë në Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore.
Kështu që në Afrikë, Bush do të kujtohet për “rolin e tij qendror si një ndërmjetësues në dhënien fund të luftës civile 20-vjeçare midis arabëve në veri dhe afrikanëve në jug,” shkroi Natsios.

“Ishte administrata Bush ajo që së pari e ngriti alarmin rreth mizorive në Darfur, i organizoi përpjekjet masive humanitare për të shpëtuar njerëzit në kampet e refugjatëve dhe grumbulloi një koalicion ndërkombëtar, përmes Kombeve të Bashkuara dhe Unionit Afrikan, për të dërguar trupa paqeruajtëse, për të rikthyer rregullin,” shtoi ai.
Kur Bushi kishte mbërritur në Tanzani në muajin shkurt, presidenti Jakaya Kikwete e kishte mbushur me lëvdata.

“Njerëz të ndryshëm mund të kenë pikëpamje të ndryshme për juve, për administratën dhe trashëgiminë tuaj,” kishte thënë ai.
“Por, ne në Tanzani, nëse flasim për veten tonë dhe për Afrikën, jemi të sigurt se ju, zotëri President dhe administrata juaj keni qenë miq të mirë të vendit tonë dhe keni qenë miq të mirë për Afrikën.”
Ajo që me të vërtetë e ka ngritur popullaritetin e Bushit atje, ka qenë vendimi i tij për të rritur ndihmat për Afrikën dhe programet ekonomike e shëndetësore që ai i mbështeti në kontinent.

Mbi të gjitha, ndihmat e jashtme u dyfishuan gjatë administratës së Bushit dhe në Afrikë ato u katërfishuan, nga 1.3 miliardë dollarë që ishin në vitin 2001, në 5 miliardë dollarë në vitin 2008.
Miliarda dollarë shtesë janë caktuar për të mbështetur programet e tij për të luftuar malarien dhe HIV/Aids dhe për të shpërblyer qeveritë e mira, programe që janë shikuar si një sukses i madh.

Kori Schake, anëtar i Këshillit të Sigurimit Kombëtar gjatë mandatit të parë të Bushit, thotë se një numër i shteteve tjera anë e mbanë botës mund ta ndiejnë mungesën e presidentit Bush, prej tyre janë ato që shpresojnë që të nënshkruajnë marrëveshje për tregti të lirë me Washingtonin, sikur Kolumbia, për rritjen e fuqisë, sikur India, që nënshkroi një marrëveshje kontroverse për bashkëpunim nuklear me Washingtonin.

Ish republikat sovjetike, sikur Ukraina dhe Gjeorgjia, që shpresojnë t’i bashkohen NATO-s, gjithashtu mund ta vajtojnë përfundimin e administratës Bush.
Por, mund të ndodhë që mungesa e Bushit do të varet nga ajo se çfarë do të bëjë Barack Obama si president.

Përfundimisht, në mënyrën e tyre, liderët sikur Hugo Chavez i Venezuelës, Fidel Castro i Kubës dhe Mahmoud Ahmadinejad i Iranit mund të arrijnë ta ndiejnë mungesën e njeriut që dëshironin ta urrenin, kur do t’u duhet të merren me pasardhësin e tij, njeriun që bota dëshiron ta dojë.
Kim Ghattas, BBC

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login