Kryeministri Thaçi nuk pranon kushte nga Mali i Zi
by Mimoza A on 14/01/09 at 1:20 pm
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi nuk i mirëpriti kushtet e Malit të Zi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Kreu i qeverisë kosovare i bëri deklaratat për për të përditshmen malazeze “Vijesti”.
Duke komentuar kërkesën e presidentit malazias Filip Vujanovic që, para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, malazezët të futen në Kushtetutën e Kosovës dhe që të krijohen kushtet për kthimin e popullatës joshqiptare, Thaçi ka theksuar se qeveria e tij po punon në krijimin e kushteve për kthimin e të gjithë atyre të cilët kanë braktisur Kosovën.
“Dy shtetet tona kanë marrëdhënie të mira dhe besoj se ato shumë shpejt do të ngritën edhe në nivelin diplomatik, pa kurrfarë kushtëzimesh”, ka deklaruar Thaçi për të përditshmen malaziase “Vijesti”.
Thaçi konsideron se kërkesat e Vujanovic janë të drejta. “Ne kemi mirëkuptim për to, mirëpo më duhet të rikujtoj se ne për çdo ditë po punojmë në atë drejtim në mënyrë që nëpër shtëpitë e veta të kthehen të gjithë ata të cilët e kanë lënë Kosovën. Qeveria jonë po punon në këtë drejtim me përkushtim dhe këtë askush nuk mund të na e mohojë”, ka theksuar Thaçi.
Ai ka thënë se Kosova “po e ndërton shtetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, e jo shtetin e një apo dy kombeve”.
“Kushtetuta e Kosovës është shembull unik se si afirmohen dhe respektohen të drejtat e pakicave kombëtare dhe padyshim se secili qytetarë i shtetit tonë ka të drejtë që lirshëm ta shprehë përkatësinë e vet kombëtare”, ka theksuar Thaçi duke shfaqur besimin se së shpejti do të organizohen edhe vizitat reciproke të zyrtarëve të Kosovës dhe Malit të Zi.
Leave a Comment