KOSOVË – QEVERIA MIRATON RAPORTIN E PUNËS NË NJËVJETORIN E SAJ
by admin on 09/01/09 at 10:26 pm
Qeveria e Kosovës miratoi raportin e vet njëvjeçar, në mbledhjen e sotme ku ka vlerësuar të suksesshme punën që nga zgjedhja në Kuvend më 9 janar të vitit të kaluar.
Kryeministri Hashim Thaçi e cilësoi 2008-ën vit të përgjegjësive shtetërore. Në fjalën e tij në mbledhjen e qeverisë Thaçi theksoi shpalljen e pavarësisë, njohjen nga vendet më të fuqishme perëndimore dhe të tjera, miratimin e Kushtetutës, Konferencën e donatorëve, e zhvillime tjera të rëndësishme brenda një viti.
Raporti prej rreth 230 faqesh për punën njëvjeçare të qeverisë do t’i dërgohet deri të hënën Kuvendit të Kosovës për ta shqyrtuar në një nga mbledhjet e ardhshme.
Pas mbledhjes së qeverisë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi sqaroi disa detaje të raportit.
Rreth problemeve në pjesën veriore të Kosovës, Kuçi tha se qeveria ka tri drejtime kryesore për Mitrovicën: menaxhimin politik të situatës, menaxhimin tjetër përmes institucioneve të rendit dhe stimulimin e popullatës lokale.
Leave a Comment