Korçë, përplasje me armë në Podgorie
by Mimoza A on 12/01/09 at 8:16 pm
Shkëmbim zjarri midis policisë dhe një vrasësi ka ndodhur në fshatin Podgorie të Korçës rreth orës 17 e 50 minuta të pasdites së sotme. Shkak i këtij shkëmbimi zjarri është bërë operacioni i ngritur nga ana e bluve të Korçës për kapjen e Reshit Adrit. Ky i fundit ka vrarë pasditen e sotme me armë zjarri të afërmin e tij. Viktima ishte Lulëzim Laze 41 vjeç. Bëhet e ditur se pas vrasjes së 41 vjeçarit në fshat kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat po mundohen të kapin vrasësin e Lazes. Ndërkohë ende nuk dihen shkaqet të cilat e detyruan Reshti Adrin të vrasë të afërmin e tij. Sipas burimeve të policisë bëhet e ditur se Adri për t’iu larguar policisë pas kryerjes së krimit ndodhet i fshehur në një zonë malore, ç’ka e bën më të vështirë kapjen e tij. Gjithashtu thuhet se vrasësi Adri është i armatosur me automatik tip kallashnikov dhe nuk po i përgjigjet thirrjes së policisë për tu dorëzuar. Në përplasje me armë të ndodhur midis policisë dhe vrasësit në fshat mbeti e plagosur dhe një grua, e cila ishte banore e fshatit. Gruaja është dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme dhe nga burimet spitalore bëhet e ditur se është jashtë rrezikut për jetën.
Polica po merret me zgjidhjen e kësaj ngjarjeje.
Leave a Comment