Koboli: Dënime qesharake? Atëherë Juve ka 29 tituj

by on 10/01/09 at 3:13 pm

Dita e ditëlindjes së tij koincidon me sentencën për procesin “GEA”. Presidenti i Juventusit, protagonisti i madh i ditës mediatike, nuk mund t‘i shmangë komentet. Nëse do të ketë të tjera ndëshkime qesharake, atëherë do të thotë se Juventusi nuk ishte edhe aq fajtor për “Calciopoli”-n. Është ky mendimi i numrit një të bardhezinjve. “Si Luçiano Moxhi, ashtu edhe i biri Aleksandro, kanë marrë dënime shumë më të vogla nga sa ishte kërkuar prej ministrisë, nënvizon Koboli. Nëse në të ardhmen do të konstatojmë se do të ketë të tilla vendime qesharake, atëherë do të jemi koshientë se titujt e Juventusit janë 29 dhe jo dy më pak. Këtu përfshihen edhe dy titujt që na janë hequr”.

Gjykata – “Drejtësia sportive është e ndryshme nga ajo penale, ka vazhduar më tej presidenti. Ajo sportive ka qenë e detyruar të marrë vendimet në një kohë të shpejtë, në një periudhë kur kishte edhe një fushatë negative kundrejt Juves, të cilën e urrenin aq shumë. Në fund të procesit penal të pandehurit rezultojnë të jenë thuajse të pafajshëm. E di që do të jetë e vështirë që të kthejmë pas atë që na është hequr, por ne do ta kërkojmë këtë me zë të lartë. E kaluara është e kaluar dhe duhet të na shërbejë vetëm për të bërë mirë në të ardhmen”.

Merkato – “Nuk do të blejmë asnjë në janar: konfirmoj atë që ka thënë administratori Blank, do të shikojmë perspektivën për në qershor”. Kështu flet Koboli në lidhje me merkaton bardhezi. “Nëse nuk ndodh diçka e jashtëzakonshme, ne nuk do të blejmë asnjë dhe do të kërkojmë të stabilizojmë xhevahiret e shumta që kemi në grup, ngaqë të shumtë janë ata që po rikthehen nga dëmtimet”.

Champions – Si Trezege dhe Bufon “me siguri që qëndrojnë me ne”. Presidenti bardhezi flet për merkaton e janarit, por nuk harron objektivat e skuadrës në këtë vit të ri. “Kampionati është i rëndësishëm, por do të doja të ecnim sa më përpara në Champions”, thotë Koboli Xhilji, duke zbuluar ëndrrën e tij dhe të gjithë tifozëve. Këtë vit, me finalen që do të luhet në Romë, gjithçka do të ishte fantastike. Si në 1996-ën kundër Ajaksit. E kaluara që rikthehet. “Edhe unë do ta doja finalen e Romës: e dëshiroj shumë dhe e duan edhe futbollistët. Më 25 shkurt kemi një ndeshje shumë të vështirë ndaj Çelsit, shtoi ai, por kampionët e mëdhenj stimulohen nga ndeshje të tilla. Unë do t‘i mbaja mbi shpatulla të gjithë tifozët drejt Romës, por varet nga skuadra dhe pak nga fati”.

Momentet e paharrueshme – Pas tre vitesh në drejtimin e Juventusit, Koboli Xhilji bën një bilanc dhe provon të rrëfejë momentet e paharrueshme. “Dita e parë në drejtimin e klubit, nuk e mendoja dot se përballeshim me kaq shumë vështirësi. Pas 10 ditësh iku edhe Kapelo. Rënia në serinë B, ngjitja në Serinë A dhe dy ndeshjet e fituara ndaj Realit të Madridit janë të paharrueshme”.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login