Këshilli i qarkut Elbasan hrton planin për zhvillimin e turizmit
by Andi Bega on 11/01/09 at 2:11 pm
Këshilli i Qarkut të Elbasanit, me mbështetjen e SNV-së, një agjenci e cila funksionon mbi bazën e donacioneve të qeverisë holandeze, ka hartuar planin e zhvillimit të turizmit të qarkut.
Kryetari i Këshillit të Qarkut, Ardian Turku, theksoi se plani i zhvillimit turistik, i paraprin edhe projekteve të investimit në zona të ndryshme që mund të përbëjnë destinacione të sukseshme turistike.
“Hartimi i planit të zhvillimit turistik ka kaluar në shumë faza dhe me një punë mjaft të gjerë dhe voluminoze të Këshillit të Qarkut, i cili arriti të sigurojë mbështetjen e SNV-së, një agjenci e sukseshme në mbështetje të projekteve të tilla”, tha kryetari i Këshillit të Qarkut, Ardian Turku.
Sipas tij, “hartimi i këtij plani nuk i heq mundësinë edhe të drejtën të gjitha institucioneve të tjera të qeverisjes vendore për të hartuar planet e tyre zonalë të zhvillimit të turizmit”.
Për të zhvilluar sa më shumë turizmin, për të thithur sa më shumë turistë jo vetëm nga vendi, por edhe të huaj, Këshilli i Qarkut të Elbasanit ndërmori një në fillim të muajit qershor të vitit 2008, bashkë me SNV, nismën për hartimin e një plani për zhvillimin e turizmit si një komponent që gjithnjë e më tepër po merr rëndësi në zhvillimet rajonale.
Në hartimin e këtij plani u angazhuan edhe aktorë të tjerë si shoqata të ndryshme, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” si dhe bizneset që kanë investuar dhe kanë ngritur potenciale turistike në rajonin e Elbasanit.
“Thesaret e çmuara historike e natyrore që ka qarku, në një të ardhme të afërt duhet të jenë burim i fuqishëm i turizmit”, tha Turku, duke shtuar se ky plan do ta kthejë Elbasanin në një kompleks të vërtetë destinacionesh turistike, dhe vlerash etnografike dhe kulturore.
Qarku i Elbasanit paraqet vlera të mëdha për turizmin, dhe kjo u shfaq dukshëm në stinën e verës të vitit që kaloi, ku me qindra turistë kanë ndaluar për t’u njohur me vlerat historike, arkeologjike e kulturore të qytetit.
Leave a Comment