Kartat, zbardhet urdhri i Nishanit për administratën

by on 12/01/09 at 6:49 pm

Punonjësit e administratës do të pajisen me kartat e identitetit brenda dy javëve të para të muajit shkurt. Pas vendimit të miratuar në qeveri të mërkurën e kaluar, Ministria e Brendshme ka nxjerrë një urdhër, ku përcakton afatet konkrete për të gjithë procedurën e pajisjes me letërnjoftimet biometrike për rreth 104 mijë punonjës të administratës. Gazeta zbardh të plotë urdhrin e hartuar më 9 janar dhe që i është dërguar Presidencës, Kuvendit, Kryeministrisë, të gjitha Ministrive, Institucionet e tjera qendrore, Prefektëve; Bashkive; Komunave, Këshillave e Qarqeve.
Urdhri
Në urdhrin e hartuar nga Ministria e Brendshme u kërkohet të gjitha institucioneve shtetërore që të marrin të gjitha masat që deri në datën 15 janar, ose tre ditë nga nisja zyrtarisht e procesit të pajisjes me kartat e identitetit, të bëjnë pagesën për të gjithë punonjësit që do të pajisin me karta. Në këtë dokument përcaktohet gjithashtu që punonjësit buxhetorë mund të kërkojnë pajisjen me kartë identiteti edhe të familjarëve të tyre, që nuk kanë marrëdhënie pune me shtetin. Ndërkohë pagesa për kartën do të mbahet në fund të muajit nga paga e punonjësve. Në të njëjtën kohë, këtyre institucioneve u kërkohet që brenda ditës së sotme të përcaktojnë numrin e saktë të kartave që do të kërkojnë. “Të gjitha ministritë apo institucionet e tjera qendrore, si dhe Bashkia e Tiranës dhe njësitë bashkiake, i dërgojnë Ministrisë së Brendshme jo më vonë se data 13.01.2009 numrin e detajuar të kërkesave për mandat arkëtime për Tiranën dhe në nivel kombëtar deri në datë 20.01.2009. Të gjitha institucionet publike i dorëzojnë çdo punonjësi mandat arkëtimet përkatëse, në llojin dhe sasinë e kërkuar prej tyre, brenda 24 orëve nga marrja e tyre nga Kompania Koncesionare”, thuhet në urdhrin e shpërndarë për institucionet shtetërore pak ditë më parë.
Afatet
Pas informimit të Ministrisë së Brendshme nga ana e institucioneve të tjera, lidhur me kërkesat për kartat e identitetit, në urdhër përcaktohet që punonjësit e ministrive dhe institucioneve qendrore të paraqiten në zyrën e ngritur enkas për marrjen e kartës jo më vonë se data 20 janar. Brenda këtij afati janë të përfshirë edhe punonjësit e Bashkisë së Tiranës, prefekturës së Tiranës dhe Këshillit të Qarkut Tiranë. Ndërkohë, punonjësve buxhetorë në institucionet e varësisë të qarkut të Tiranës, përfshi edhe njësitë bashkiake të kryeqytetit, u është lënë një afat më i madh, deri më 30 janar, për të aplikuar për marrjen e letërnjoftimit biometrik. “Punonjësit e prefekturave, të Këshillave të Qarqeve, të bashkive e komunave, duhet të aplikojnë për letërnjoftim jo më vonë se një javë kalendarike nga data që fillon aplikimi në njësitë përkatëse vendore, por gjithmonë jo më vone se 7 shkurt 2009”, thuhet më tej në këtë urdhër. Gjithashtu punonjësit e të gjitha shërbimeve dhe administratave të shtetit në nivel rajonal e vendor duhet të aplikojnë jo më vonë se dy javë nga fillimi i aplikimit në njësitë përkatëse vendore, por jo më vonë se 15 shkurt 2008. “Të gjitha strukturat e vartësisë raportojnë në institucionet qendrore në mënyrë periodike, ditën e martë për javën paraardhëse. Institucionet qendrore raportojnë çdo të martë në Ministrinë e Brendshme për ecurinë e procesit”, thuhet më tej në urdhër.

Urdhri i Ministrisë së Brendshme

Lënda: Mbi pajisjen për herë të parë me letërnjoftim të punonjësve të institucioneve publike; qendrore e vendore.

Drejtuar: Presidencës, Kuvendit, Kryeministrisë, të gjitha Ministrive, Institucioneve të tjera qendrore, Prefektëve; Bashkive; Komunave, Këshillave të Qarqeve.

Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr .1, datë 07.01.09 “Për pajisjen, për herë të parë, me letërnjoftim, të shtetasve shqiptare dhe për përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese, për ata, që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve”, punonjësit e institucioneve publike, qendrore e vendore bëjnë pagesën për aplikim pranë institucioneve të tyre, si dhe janë të detyruar që të kryejnë aplikimin jo më vonë se data 25 shkurt 2009.
Për përmbushjen me sukses të kësaj kërkese nga ju kërkohet:

1. Të merrni masa që jo më vonë se data 15 janar 2009 të bëhen të gjitha pagesat për letërnjoftime për të gjithë punonjësit që paguhen nga institucioni Juaj dhe ato të vartësisë suaj, kombëtare dhe rajonale, për Qarkun e Tiranës. Pagesat mund të kryhen edhe për familjarët e punonjësve tuaj, që nuk janë në marrëdhënie pune në institucionet publike. Për këtë Ju duhet të kërkoni që shërbimet e brendshme të plotësojnë me të dhëna jo më vonë se data 12.01.2009, lidhur me llojin dhe numrin e dokumenteve që do të paguajë dhe kërkojë secili punonjës i institucionit tuaj, bashkëngjitur tabela Nr 1.
2. Pagesa për institucionet tuaja do të kryhet menjëherë pas plotësimit të kërkesës së pikës 1, plotësimit të Tabelës Nr. 1, nga shpenzimet korente, zëri 600, dhe në fund të muajit do t’i mbahen çdo punonjësi nga rroga e tij, në të njëjtën vlerë të kërkuar prej tij, (numër dokumentesh të kërkuar, shumëzuar me vlerën përkatëse të tyre). Në çdo rast, kjo pagesë do të kryhet jo më vonë se data 15.01.2009, për institucionet e vartësisë jashtë Tiranës jo më vonë se 20 janar 2009.
3. Të gjitha Ministritë apo institucionet e tjera qendrore, si dhe Bashkia e Tiranës dhe njësitë bashkiake, i dërgojnë Ministrisë së Brendshme jo më vonë se datë 13.01.2009 numrin e detajuar të kërkesave për mandat arkëtime për Tiranën dhe në nivel kombëtar deri në datë 20.01.2009.
4. Të gjitha institucionet publike i dorëzojnë çdo punonjësi mandat arkëtimet përkatëse, në llojin dhe sasinë e kërkuar prej tyre, brenda 24 orëve nga marrja e tyre nga Kompania Koncesionare.
5. Të hartoni grafikun dhe të merrni masa për aplikimin e punonjësve tuaj si më poshtë:
· Punonjësit e Ministrive dhe institucioneve qendrore jo më vonë data 20.01.2009. Këtu përfshihen edhe Bashkia e Tiranës, Prefektura e Tiranës dhe Këshilli i Qarkut Tiranë
· Punonjësit e institucioneve të vartësisë, të qarkut Tiranë, përfshirë edhe njësitë Bashkiake të Tiranës, jo më vonë se 30 janar 2009.
· Punonjësit e prefekturave, të Këshillave të Qarqeve, të bashkive e komunave duhet të aplikojnë për letërnjoftim jo më vonë se një javë kalendarike nga data që fillon aplikimi në njësitë përkatëse vendore, por gjithmonë jo më vonë se 7 shkurt 2009.
· Punonjësit e të gjitha shërbimeve dhe administratave të shtetit në nivel rajonal e vendor jo më vonë se dy javë nga fillimi i aplikimit në njësitë përkatëse vendore, por gjithmonë jo më vonë se 15 shkurt 2008
6. Të gjitha strukturat e vartësisë raportojnë në institucionet qendrore në mënyrë periodike ditën e martë për javën paraardhëse. Institucionet qendrore raportojnë çdo të martë në Ministrinë e Brendshme për ecurinë e procesit.
Për zbatimin e Vendimit Nr 1, datë 07.01.2009 të ngarkohen Sekretarët e Përgjithshëm të institucioneve, shërbimet e administrimit të brendshëm dhe atij financiar.
Ministritë, institucionet e tjera qendrore e vendore të marrin masa për zbatimin rigoroz të Vendimit.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login