Kartat e identitetit, nis sot aplikimi. Pagesa me poste
by Mimoza A on 12/01/09 at 10:10 am
Çdo qytetar i Tiranës duhet t’i drejtohet sot njësive bashkiake ku ata janë të regjistruar, për të bërë aplikimin për marrjen e kartave të identitetit. Në një deklaratë për mediat, Ministria e Brendshme ka bërë të ditura edhe një herë hapat që duhet të ndiqen nga çdo qytetar, duke nisur nga dita e sotme. Kështu, hapi i parë për këtë aplikim është pagesa e tarifës prej 12 mijë lekësh të vjetra pranë çdo zyre postare për letërnjoftimin dhe pasaportën biometrike. Ndërkohë që pagesa mund të bëhet edhe pranë institucioneve ku qytetarët punojnë, nga ku duhet të marrin një kupon që dëshmon kryerjen e pagesës. Pas këtij veprimi, qytetari duhet të shkojë në njësinë bashkiake ku është regjistruar, së bashku me kuponin e derdhjes së lekëve si dhe një dokument identifikimi që mund të jetë, pasaportë, certifikatë, patentë për drejtim automjeti, apo edhe fletëhyrje për në institucione shtetërore. Të dhënat gjenerohen direkt nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile; operatori, qytetari dhe nëpunësi i gjendjes civile i kontrollojnë ato dhe nëse i gjejnë në rregull, e printojnë formularin e aplikimit që firmoset nga të tre personat: qytetari, nëpunësi i gjendjes civile dhe operatori i regjistrimit. Nëse jo, qytetari shkon në Gjendjen Civile për të korrigjuar gabimet që mund të ekzistojnë. Në momentin që të dhënat janë korrekte dhe formulari firmoset, mbetet shumë pak për t’u bërë. Kështu, punonjësi do t’i marrë shenjat e gishtave qytetarit, i cili do të dalë në fotografi dhe do të japë edhe nënshkrimin elektronik. Sipas zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, procesi i aplikimit për një person nuk zgjat më shumë se 5 minuta, që nga paraqitja e kuponit, verifikimi i identitetit nëpërmjet regjistrit elektronik të Gjendjes Civile, marrja e shenjave të 10 gishtave, fotografisë dhe firmës elektronike. Pas kryerjes së këtyre procedurave, qytetari duhet të kthehet pas dy javësh për të marrë letërnjoftimin e tij, në vendin që ka aplikuar, pasi dokumenti aktivizohet dhe funksionon vetëm me shenjat e gishtave të personit që i përket. Për të mos lënë që pajisja me karta të konsiderohet si një çështje fakultative, Ministria e Brendshme ka vënë një sërë sanksionesh. Kështu, gjithë ata që refuzojnë të aplikojnë për të, nuk do të mund të tërheqin pagat mujore ose pensionet, ose të dalin jashtë vendit. Ndërkohë, Poni shprehet se qytetarët s’kanë nevojë të marrin certifikata të reja, pasi gjithçka është e lidhur me regjistrin kombëtar. Ai bëri të ditur gjithashtu se pas 12 janarit, procesi i aplikimit për letërnjoftimet do të nisë në të gjitha qytetet e vendit.
Leave a Comment