Juventusi studion strategjitë për të afruar Lionel Mesin
by admin on 05/01/09 at 6:00 pm
Bardhezinjtë mund të “sakrifikojnë” Xhixhi Bufon. Tifozët, gati të grumbullojnë fonde
Andrea Anjeli ka rrëfyer se ëndërron të shohë Lionel Mesin me fanellën e Juventusit. Nga kolonat e gazetës “Tuttosport” lajmi është përhapur shumë shpejt, duke gjetur edhe mbështetjen e tifozëve. Blerja e yllit argjentinas është shumë e vështirë, por jo plotësisht e pamundur. Nuk duhet harruar se në të kaluarën, Barcelona ka shitur Diego Armando Maradonën dhe pak vite më vonë edhe Ronaldon.
Strategjia
Ndoshta nuk do të jetë e nevojshme që në arkat e klubit katalan të paguhet shifra e plotë prej 150 milionë eurosh, të parashikuara në klauzolën për prishjen e kontratës. Gjithsesi, është e detyrueshme derdhja e gjysmës së kësaj shume (75 milionë euro). Për më tepër, nuk duhet harruar se rroga e Leo Mesit është e lartë dhe kjo do të bënte që edhe lojtarë të tjerë të Juves të pretendojnë rritje rroge. Në teori, shifrat financiare janë shumë të larta dhe kundër politikës së ndjekur nga klubi deri më tani. Me fjalë të tjera, pengesat janë të shumta. Por, ëndrra nuk mund të braktiset…
Sakrifica
Bardhezinjtë kanë studiuar disa strategji për të marrë shërbimet e “Pleshtit”. Megjithatë, në realitet, taktika më e mundshme është vetëm një: shitja e futbollistit që ka më shumë oferta, Xhixhi Bufon. Portieri është pjesë e historisë së klubit, edhe sepse pranoi të luante në Serinë B vetëm pak javë pasi u shpall kampion i botës. Hipoteza e largimit të “gardianit” ka ndarë edhe tifozët juventinë. Pas një sondazhi, 52 për qind e pjesëmarrësve nuk preferojnë ta shohin larg skuadrës, as në këmbim të Mesit. Ndërsa, pjesa tjetër (47.5 për qind) joshen nga ideja e blerjes së 21-vjeçarit.
Fondet
Në të gjithë këtë situatë nuk kanë munguar as idetë për mbledhjen e fondeve. Grumbullimi i parave drejtpërdrejtë nga xhepat e tifozëve ka qarkulluar në forumin “Veçhiasignora.com”, nëpërmjet një sondazhi. Duke llogaritur që Juventusi numëron afro 15 milionë tifozë, sikur vetëm gjysma e tyre të kontribuonte me 5 euro, totali i shifrës së mbledhur është një ndihmë e madhe për klubin: 35 milionë euro. Nëse realisht paratë e grumbulluara do të shërbenin për të blerë Leo Mesin, 77.5 për qind e atyre që morën pjesë në sondazh janë të gatshëm të fusin dorën në portofol. Ata që besojnë se lojtarët duhet t‘i paguajë klubi pohuan se do të “dhurojnë” të paktën nga 1 euro, por nuk mungojnë as tifozët, të cilët kanë filluar të kursejnë nga 200 euro për këtë kauzë. Kjo cilësohet si një mënyrë për të ndihmuar skuadrën që të mos ndihet e detyruar të shesë Xhixhi Bufon. Numrin 1 në botë mes shtyllave dhe numrin një në këtë sport, do të ishte më bukur po t‘i shihje përkrah njëri-tjetrit me fanellën bardhezi.
Leave a Comment