Juventus hidhet në sulm për brazilianin e Verder, Diego

by on 14/01/09 at 5:31 pm

Juventusi fillon ofensivën për afrimin e Diegos. Drejtuesit e klubit bardhezi kanë përcaktuar një takim me homologët e Verder Bremenit. Javën e ardhshme, drejtori sportiv i klubit italian, Alesio Seko, do të udhëtojë drejt Gjermanisë për t‘u takuar me krerët e skuadrës së Bundesligës. Ai do të vlerësojë nëse Verderi është i gatshëm të fillojë bisedimet për shitjen e mesfushorit brazilian. Ky është vetëm hapi i parë dhe gjasat për gjetjen e marrëveshjes ekzistojnë. Është e vërtetë se Diego ka kontratë deri në vitin 2011, por prej disa muajsh marrëdhëniet me gjermanët janë tensionuar. Pasi të njihet me qëndrimin e Verder Bremenit, Seko do të fillojë fazën e dytë të operacionit: bisedën për termat financiarë. Vlerësimi fillestar i kartonit të lojtarit është 25 milionë euro, por bardhezinjtë shpresojnë që çmimi të ulet. Për 24-vjeçarin, Juve ka përgatitur kontratën katërvjeçare, ndërkohë që palët duhet të bisedojnë për rrogën vjetore. Lojtari pretendon 4,5 milionë euro neto në sezon, kërkesë e cilësuar e lartë nga skuadra që klasifikohet e dyta në Serinë A. Por, për të arritur te kjo pjesë, më parë duhen pritur rezultatet e takimit mes përfaqësuesve të klubeve. Në anën tjetër, Ranieri i ka hapur “dritën jeshile” afrimit të brazilianit, duke deklaruar: “Sigurisht, Diego është një lojtar që më pëlqen”. Më tej trajneri saktësoi diçka për këtë interesim: “Diego është organizator, i pëlqen të luajë pas shpinës së sulmuesve, por për momentin nuk do ta ndryshojë skemën 4-4-2″. Diego mbetet alternativa e parë, por jo e vetmja. Në qarkullim nuk ka shumë lojtarë, të cilët mund të zëvendësojnë në mënyrë perfekte Pavel Nedved. Kandidatët e tjerë janë Silva i Valencias dhe Babel i Liverpulit.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login