IZRAELI DHE HAMASI SHPËRFILLIN THIRRJET PËR ARMËPUSHIM
by admin on 10/01/09 at 2:41 pm
Avionët, tanket dhe anijet izraelite bombarduan sot Rripin e Gazës, ndërsa militantët e lëvizjes islamike Hamas hodhën disa raketa në territorin izraelit, duke shpërfillur përpjekjet ndërkombëtare për të ndaluar konfliktin.
Gjatë shkëmbimit të fundit të zjarrit, të paktën tetë palestinezë u vranë si pasojë e shpërthimit të një predhe nga një tank i ushtrisë izraelite në Jabalya, një kamp refugjatësh në veri të qytetit të Gazës, njoftuan zyrtarët e shëndetësisë.
Një raketë e hedhur nga Hamasi shkaktoi plagosjen e dy ushtarëve palestinezë në Ashkelon, në veri të Gazës.
Të shqetësuar lidhur me ndikimin e thellë të luftës tek banorët e Rripit të Gazës, më shumë se gjysma e të cilëve varen nga ndihmat ushqimore të OKB-së, Kombet e Bashkuara theksuan se shpresonin që të rifillonin sot shpërndarjen e plotë të ndihmave, por kërkuan që Izraeli t’i siguronte më parë se stafi i tyre nuk do të dëmtohej.
Pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku bëhet thirrje për një armëpushim, dhe përpjekjeve egjiptiano-europiane për ndërmjetësim, Izraeli duket i vendosur të vazhdojë ofensivën, që ka si synim ndalimin e hedhjes së raketave nga Hamasi. Hamasi hodhi sot raketa të tjera në territorin izraelit.
“Izraeli është i vendosur të merret me këtë çështje deri kur të arrijë një përfundim pozitiv, në mënyrë që të mos ketë më terrorizëm në Gaza kundër Izraelit”, deklaroi Rafi Eitan, një anëtar i kabinetit izraelit të sigurisë, për radion izraelite.
Zyrtarët e shëndetësisë në Rripin e Gazës deklaruan se numri i palestinezëve të vrarë ka arritur në 795, ku më shumë se një treta e tyre ishin fëmijë, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.
Trembëdhjetë izraelitë janë vrarë, ndër të cilët 10 ushtarë, nga sulmet me raketë të Hamasit.
Hamasi ka hedhur afro 40 raketa në territorin izraelit gjatë 24 orëve të fundit, ku disa prej tyre kanë goditur Ashkelon, një qytet afro 20 kilometra në veri të Rripit të Gazës.
Leave a Comment