Ish-ushtarë të UÇK-së në mbrojtje të Lekës
by admin on 05/01/09 at 12:21 am
“Ne
ish-ushtarët e UÇK-së, si dhe votuesit e zonës (Tetovë-Jazhincë) dhe më
gjerë që zgjodhëm Daut Rexhepin-LEKA përfaqësuar në Parlament, reagojmë
ashpër ndaj shpifjeve dhe etiketimeve që i bëhen Komandantit dhe
deputetit tonë, nga ana e liderit të PDSH-së, me stilin e tij tashmë të
njohur, arrogant dhe të papërgjegjshëm. Lajmi
për largimin nga radhët e PDSH-së, të z.Daut Rexhepi-LEKA, na brengosi
dhe na irritoi sepse në mënyrë sensacionale dhe me doza të theksuara
krenarie u publikua nga një gazetë maqedonase “Dnevnik”, e njohur për
shkrimet e saja anti-shqiptare. Siç duket PDSH-ja në gazetën në fjalë
luan rolin edhe të prokurorit duke ia rikujtuar gazetares edhe akuza të
tipit shpifëse me të cilat e ngarkojnë deputetin tonë nga organet e
ndjekjes sllavo-maqedonase, dhe duke u mburur se partia po pastrohet
nga luftëtarët gjegjësisht nacionalistët”, thuhet në reagimin e
ish-ushtarëve të Batalionit të parë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare,
të brigadës “112-Mujdin Aliu”.
Ne
ish-luftëtarët e UÇK-së, duke u solidarizuar edhe me elektoratin e
zonës (Tetovë-Jazhincë) jemi të shqetësuar dhe kemi humbur besimin edhe
tek kjo parti e cila së paku deklarativishtë trumbetonte për mbrojtjen
e vlerave të luftës dhe mburreshte duke numëruar pjesëtarët e UÇK-së që
kishte në gjirin e saj. Pikërisht sot në kohërat më të vështira për
pjesëtarët e UÇK-së dhe familjet e tyre, që çdo ditë malltretohen,
burgosen dhe etiketohen me lloj-lloj shpifjesh, PDSH e finalizon këtë
frymë anti-shqiptare me largimin nga PDSH-ja, ish-Komandantin dhe
deputetin tonë Daut Rexhepi-LEKA. Vallë a mund të mendohet se edhe
rasti i Daut Rexhepi-LEKA është rastësi apo …?
Deklaratat
e z.Thaçi janë ofenduese, identike si deklaratat e z.Ali Ahmetit, i
cili ushtarët e UÇK-së i quan miza, duke e quajtur vetveten shqiponjë.
Siç duket për këtë të fundit, pra, z.Ahmeti edhe bastisjet,
malltretimet dhe burgosjet në masë të madhe që janë bërë dhe që janë
duke u bërë familjeve shqiptare dhe ish-ushtarëve të UÇK-së, na qenkan
punë mizash?! Shihet qartë se dy liderët e dy partive kryesore
shqiptare për një çështje janë të koordinuar për tu LIRUAR nga
ish-ushtarët e UÇK. Sepse ashtu më lehtë depërtojnë te objektivi i tyre
MADHOR, që është pjesëmarrja në pushtet, dhe servilizmi ndaj bllokut
maqedonas.
Në
përfundim i rikujtojmë opinionit të gjerë shqiptar se në vitin 2001, ne
ish-ushtarët e UÇK-së, me në krye të nderuarin Komandant LEKËN, ishim
të suksesshëm në të gjitha betejat, andaj krenohemi me një komandant të
tillë që kishim. Shërbimet tona për popullatën vazhduan edhe pas
përfundimit të luftës. Që nga vitit 2001 e deri më sot, në zonën tonë
(Tetovë-Jazhincë) nuk ka patur dhe nuk ka vjedhje, plaçkitje me armë,
kidnapime, rrezikime pronash, reketime, apo dhunime. Për skaj të gjitha
këtyre që u përmendën qëllimi kryesor dhe i arritur nga ana jonë ka
qenë ruajtja e dinjitetit, moralit dhe nderit të familjes shqiptare.
Andaj nuk do të lejojmë askënd që të hedhë baltë mbi figurat dhe veprat
e ish-ushtarëve të UÇK-së, në veçanti mbi personalitetin e Komandantit,
sot deputet z.Daut Rexhepi-LEKA.
Leave a Comment