Interi kalon në çerekfinale të Kupës së Italisë
by Mimoza A on 14/01/09 at 1:36 pm
Skuadra e Interit ka kaluar në çerekfinale të Coppa Italia, pasi ka arritur ta mposhtë Genoan me rezultat 3-1 vetëm pas vazhdimeve. Pas barazimit zhgënjyes në Giuseppe Meazza në fundjave kundër Cagliarit, Interit i duhej domosdo një fitore para tifozëve të vet, prandaj trajneri Jose Mourinho inkuadroi në lojë Adrianon dhe Crespon në sulm. Nga ana tjetër Genoa vinte nga një fitore mahnitëse prej 3-0 kundër Torinos, prandaj trajneri Gian Piero Gasperini pushoi disa lojtarë, derisa njeriu kryesor i sulmit, Diego Milito, ishte i lënduar. Në minutën e 20 të takimit ndodhi një vendim kontrovers i gjyqtarit, pasi akordoi një penallti në favor të Interit dhe largoi nga ndeshja me karton të kuq Giuseppe Biavan me pretendimin se ky i fundit kishte ndërhyrë në sulmuesin Adriano. Vetë Adriano mori përgjegjësinë e ekzekutimit të kësaj penalltie, të cilën e mbrojti portieri Scarpi. Deri në pesëmbëdhjetë minutat e fundit të kohës së rregullt nuk u panë gola. Në minutën e 75-të më në fund u mposht portieri i Genoas, Scarpi, ndërsa golashënues ishte Adriano. Genoa barazoi rezultatin në minutën e 79-të kur Marco Rossi shfrytëzoi një gabim të Samuel për ta mposhtur portierin Toldo. Meqenëse edhe takimi i parë në Genoa kishte përfunduar me rezultat 1-1 u deshën vazhdimet për ta përcaktuar fituesin. Në minutat shtesë rezistenca e Genoas u dobësua, duke pasur parasysh edhe mungesën e një lojtari, me ç’rast zikaltërit shënuan dy herë. Cambiasso e kaloi në epërsi Interin (100′), ndërsa Ibrahimovic shoi shpresat e mysafirëve me golin e tretë për Nereazzurët (104′).
Leave a Comment