Infeksionistët, 8 mijë lekë më shumë se mjekët e tjerë
by admin on 09/01/09 at 8:45 pm
Pagë më e lartë për doktorët me specializime pasuniversitare
Mjekët infeksionisë, të cilët punojnë në spitalet e vendit, infermierët, sanitarët apo personeli teknik mbështetës në këtë shërbim do të kenë pagë më të lartë se të tjerët. Një vendim i Këshillit të Ministrave i marrë në dhjetor të vitit 2008 ka vendosur që këta mjekë të marrin 8 mijë lekë të reja shtesë për vështirësi në punë. “Shtesën për kushte pune, në masën 8000 (tetë mijë) lekësh, që përfitojnë punonjësit e shërbimit infektiv në QSUT, e përfitojnë edhe mjekët me tituj e grada shkencore, që janë pjesë e këtij shërbimi, të cilët trajtohen me pagë me vendimin nr.1231, datë 2.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve mbështetës në institucionet buxhetore dhe të nëpunësve të disa institucioneve buxhetore”, thuhet në vendimin e qeverisë. Po sipas këtij vendimi, efektet financiare, për paga e sigurime shoqërore, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të fillojnë nga data 1 korrik 2008 dhe të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e vitit 2008, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë. Efekti financiar, për paga e sigurime shoqërore, që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi, për shtesën për kushte pune të punonjësve të shërbimit infektiv në QSUT, të fillojë nga data 1 janar 2009 dhe të përballohet nga fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit, të vitit 2009, miratuar për sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë që, një tjetër kategori që do të përfitojë nga vendimi i Këshillit të Ministrave janë edhe mjekët, të cilët kanë mbaruar specializime pasuniversitare. Këta mjekë do të kenë një rritje page deri në 10 mijë lekë të reja.
Lajmi i mirë është që të gjithë do t‘i marrin këto shtesa duke nisur nga 1 korriku i vitit 2008. Shpenzimet do të merren përsipër nga buxheti i shtetit. “Punonjësit e personelit mjekësor, që trajtohen me pagë, sipas lidhjes nr.1, kreu 1.1, përfitojnë shtesën për kualifikimin “Master i nivelit të dytë/studime të thelluara pasuniversitare/studime specializuese afatgjata”, sipas lidhjes nr.2 dhe kritereve të përcaktuara në shkronjën “a”.”. Ndarja e buxhetit për çdo spital për vitin 2009 është bërë me vendim qeverie, ku janë të përcaktuara zërat në paga, sigurime dhe mallra e shërbime. Po sipas këtij vendimi, kalimi i buxhetit do të bëhet nëpërmjet llogarisë së thesarit të Ministrisë së Financave. Kjo do të thotë se lëvrimi i fondeve do të bëhet nga Ministria e Financave për dhënien e pagave, sigurimeve dhe mallrave e shërbimeve.
Leave a Comment