ILDKP: Të zgjerohet numri i deklaruesve

by on 29/01/09 at 5:41 pm

Kryeinspektori i pasurive: Kërkohen raste konkrete të vënies para përgjegjësisë

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive konstatoi dje se kërkohen fakte dhe raste konkrete të vënies para përgjegjësisë të personave të përfshirë në përfitime të paligjshme. Kreu i këtij institucioni, Adriatik Llalla, konstatoi se vetëm kohët e fundit, Inspektorati i Lartë ka dërguar para organit të akuzës 5 zyrtarë të nivelit të mesëm e të lartë drejtues, për fillimin e procedimit penal ndaj tyre, pasi dyshohet se kanë fshehur pasurinë ose kanë bërë deklarim të rremë për shuma që shkojnë në disa qindra mijëra euro. Por, insistoi ai duke iu drejtuar autoriteteve përgjegjëse në administratë, duhet të jeni edhe ju, hallkat bashkëpunuese me institucionin tonë, që duhet të ofroni më tepër produkt, më tepër raste të dyshuara të konfliktit të interesave. “Pavarësisht angazhimit tuaj të deritanishëm, ka ende probleme të pazgjidhura, ka ende çështje të cilat nuk trajtohen në mënyrën e duhur, ka informacione që nuk mbërrijnë në kohën e duhur. Të gjitha këto ndikojnë në punën tonë të përditshme, ndikojnë edhe në perceptimin e opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar ndaj institucioneve shtetërore”, konstatoi Llalla. Këto ditë, tha ai, Inspektorati i Lartë, po kryen rakordimet e listave të zyrtarëve që mbartin detyrim për deklarim periodik/vjetor dhe konstatohet që ende ka probleme në sistemimin e zyrtarëve që mbartin detyrim për deklarim. “Mendoj që kjo situatë duhet përmirësuar dhe nëse do të jetë e nevojshme marrja e masave ndaj kujtdo që nuk përmbush detyrimet e tij ligjore, atëherë do të ndiqet edhe kjo praktikë, do të zbatohen masat ndëshkuese të parashikuara në ligj”, paralajmëroi Llalla. Askujt nuk i kërkohet që të bëjë më shumë nga sa parashikohet në ligj, tha Llalla, por nga ana tjetër, kërkohet me forcë zbatimi rigoroz i tij. Kreu i ILDKP-së vlerësoi se vendosmëria në zbatimin e ligjit dhe rezultatet që pasojnë atë na bëjnë të ndihemi të sigurt për ndërmarrjen e hapave të tjerë, të rëndësishëm, në drejtim të hetimit administrativ, por, pse jo, edhe në shtimin e subjekteve që u nënshtrohen investigimit të interesave private. “Rezultatet e deritanishme, krijimi i një database i të dhënave të aseteve dhe detyrimeve financiare të çdo zyrtari, si dhe forcimi i procesit investigues na jep siguri për të përballuar sfida të reja”, këmbënguli Llalla. Ne të gjithë këtu, shtoi ai, por edhe të tjerë jashtë kësaj salle, jemi përgjegjësit kryesorë për përmbushjen e detyrimit kryesor të procesit integrues, luftës kundër korrupsionit.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login